E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët i vënë ACR-së kusht heqjen e drejtorit

BULQIZË Edhe gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një takim mes një përfaqësueseje të firmës ACR dhe me një përfaqësues të minatorëve, Taf Kolecin, veprim ky që nuk është mirëpritur aspak nga komisioni i grevës së minatorëve. Në fund të takimit, u vendos të rrëzohej një kërkese e minatorëve, dhe pranimi i gjithë kërkesave të tjera.

Takimi mes përfaqësuesve të ACR dhe Taf Kolecit ka nisur në orën 14:30 minuta, dhe nga minatorët cilësohet si takim informal. Komisioni i grevës ka reaguar menjëherë për këtë takim, duke e quajtur të paligjshëm. Sipas tyre, në takim duhet të ishte dhe kreu i sindikatës së minatorëve, Kol Nikollaj. Por edhe në këtë takim, edhe pse është rënë dakord për disa pika, çështja e minatorëve mbetet ende pezull, për shkak të një kërkese që ACR nuk e pranoi. ACR ka rënë dakord që të rriten pagat në masën 20%, të investojë në minierë, të paguajë pagën e 13-të. Por, një ndër kërkesat më kryesore të administratës, largimin e drejtorit të minierës, ACR nuk e ka pranuar, madje e ka hedhur poshtë duke e cilësuar të pabazë. Pasi kanë mësuar vendimin e ACR, në këto kushte minatorët kanë vendosur të mos tërhiqen nga vendimi për të vijuar protestat. “Të largohet drejtori i minierës, në rast të kundërt ne nuk kthehemi në punë dhe nuk do të ndalim protestat”.

ACR po sot në mesditë kreu takim dhe me administratën e minierës së Bulqizës.

Ndërkohë minatorët e Bulqizës kanë vijuar edhe sot paradite deri në mesditë protestat para ambienteve të kompanisë austriake ACR. Konfederata e sindikatave dhe minatorët bëjnë të ditur se i kanë dërguar që ditën e djeshme një shkresë pronares së kompanisë ACR, ku parashtrohen të gjitha kërkesat e tyre, ndërkohe që ende sot nuk kanë një përgjigje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›