Vëllai godet me thikë vëllanë e më pas arrestohet
Pogradec Plagos vëllanë, e lë në koma, përfundon në pranga autori. Krimi brenda familjes është rikthyer sërish në juglindje, ndërkohë që dy vëllezër pas një grindje për një çështje familjare janë konfliktuar me njëri-tjetrin, teksa njëri prej tyre ka përdorur dhe armën ndaj vëllait tjetër. Krimi i rëndë është regjistruar në lagjen 4 të qytetit të Pogradecit, gjatë orëve të mëngjesit të të mërkurës. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë, mësohet se shtetasi Ardian Hamza, 37-vjeçar, qëlloi me armë zjarri tip pistoletë shtetasin tjetër Sallten Hamza, 44 vjeç, vëllai më i madh i autorit të ngjarjes. Nga të dhënat e para mësohet se i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë në Spital Ushtarak. Sallten Hamzai është transportuar nga familjarët e tij në spitalin e qytetit buzë liqenit, ndërsa pas situatës së tij të rënduar shëndetësore është nisur me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore. Plagosja ndodhi në banesën e përbashkët të dy vëllezërve, në lagjen numër 4 në Pogradec. Ka qenë një bisedë për një problem familjar, e cila ka degjeneruar në fyerje dhe më pas në përdorimin e pistoletës nga vëllai për vëllanë e vet. Si rezultat i plagosjes, i dëmtuari ka përfunduar në gjendje kome, teksa është duke luftuar për jetën në spital nën kujdesin e bluzave të bardha. Ndërkaq policia lokale ka arrestuar autorin e ngjarjes, duke nisur hetimet e menjëhershme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Pista ku janë përqendruar hetimet e deritanishme pas dëshmive të para të mbledhura për këtë krim është ajo për motive të dobëta pas një debati të çastit, por nuk përjashtohet mundësia dhe e një grindjeje për një çështje lekësh. I. V.