E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët, kërkojnë ndihmën e ambasadës amerikane

Kur greva e urisë e minatorëve të Bulqizës ka hyrë në ditën e 21-të, situata paraqitet e njëjtë ende pa zhvillime, të cilat do të çonin në zhbllokimin e situatës. Përballë heshtjes dhe indiferentizmit të organizmave shtetërorë, minatorët i janë drejtuar për ndihmë ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu. Presidenti i Konfederatës, Kol Nikollaj, në një deklaratë për median, i ka bërë thirrje ambasadorit amerikan, që si mik i shqiptarëve, të shkonte e të shikonte nga afër realitetin me të cilin ata përballen çdo ditë.

“I bëjmë thirrje publike ambasadorit Arvizu, si mik i shqiptarëve, që të shohë nga afër realitetin”, u shpreh Nikollaj. Kanë kaluar 42 ditë nga ndërprerja e punës në minierë, ndërsa 14 minatorë vijojnë grevën e urisë në nivelin e 14-të, ku gjendja e tyre është rënduar së tepërmi. Mjekët e spitalit rajonal japin alarmin se duhet gjetur një zgjidhje për grevistët, pasi trupi i tyre ka humbur imunitet të plotë.

Dështimet e njëpasnjëshme të takimeve mes ACR dhe minatorëve po sjellin një heshtje vrastare për 700 minatorët e minierës së Bulqizës, të cilët ushqejnë rreth 3500 persona të familjeve të tyre. E hëna është dita kur minatorët duhet të paraqiten për të marrë pagat e tyre në bankomatet e bankave. Por, nga burime brenda kompanisë, mësohet se ajo nuk do të bëjë asnjë pagesë për ditët kur nuk është punuar dhe kjo pritet t’i shtojë më tej tensionet në qytezën e minatorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›