Përshkallëzohet greva, të tjerë minatorë do ngujohen nëntokë
Në krah të minatorëve të Bulqizës pritet që sot të jenë edhe minatorë nga Puka e Mirdita, për t’u solidarizuar me grevistët e urisë dhe këshillin sindikal të minatorëve të këtij rrethi
BULQIZË Prej datës 4 korrik 2011 miniera më e madhe në vend është përfshirë nga kaosi. Asnjë kilogram krom nuk ka dalë nga nëntoka. Veç humbjeve të mëdha ekonomike për firmën e huaj dhe amortizimin e minierës, 14 minatorë janë ngujuar prej 21 ditësh në thellësitë e minierës. Po ashtu 700 minatorë prej një muaj e gjysmë nuk marrin pagat e tyre. Kërkesat e minatorëve tashmë dihen. Ato janë bërë publike nga këshilli sindikal dhe grevistët e urisë. Janë zhvilluar disa takime mes minatorëve dhe përfaqësuesve të ACR-së, por nuk është gjetur një zgjidhje. Burime të besueshme informacioni bëjnë të ditur se të tjerë minatorë janë shprehur të gatshëm për të hyrë në grevë urie në mjediset e minierës së kromit. Të tjerë minatorë kanë kërkuar shitjen e kromit që është gjendje në mjediset e ACR-së, pasi nuk janë paguar prej një muaj e gjysëm. Në krah të minatorëve të Bulqizës pritet që sot të jenë edhe minatorë nga Puka e Mirdita, për t’u solidarizuar me grevistët e urisë dhe këshillin sindikal të minatorëve të këtij rrethi.
Greva
Dje grevistët e urisë janë vizituar nga presidenti i Konfederatës, Kol Nikollaj. Në një komunikim me mediat Nikollaj tha se gjendja shëndetësore e grevistëve është shumë e rëndë dhe se kompania e huaj duhet të marrë të gjitha masat që kërkesat e drejta ekonomike të minatorëve të zgjidhen. “Isha pranë minatorëve grevistë dhe dallova se gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e rëndohet. Shumica e tyre po humbasin shikimin për shkak të errësirës së gjatë dhe kundërshtimit për të marrë ilaçe e ndihmë mjekësore. Për grevistët që janë më rëndë unë kam kërkuar që ata ta ndalin grevën e urisë, por asnjëri nga 14 minatorët e ngujuar 1400 metra thellësi nuk e pranon një gjë të tillë. Nuk jemi në gjendje të kuptojmë pse firma austriake hesht, tallet me minatorët dhe mijëra banorë të Bulqizës, që fatet e tyre i lidhin me minierën e kromit” pohoi Nikollaj. Në vijim ai shtoi se mazhoranca qeverisëse, e cila duhet të jetë e interesuar për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve, po mban qëndrim jo korrekt për minatorët.
Përkrahja
“Deputeti Bedri Hoxha takohet me grevistët. U jep të drejtë atyre dhe kërkon me të drejtë heqjen e licencës për ACR-në. Ndërkohë kryetari i baskisë, Roland Keta, fillimisht del në mbrojtje të minatorëve dhe pastaj sulmon konfederatën e sindikatave, duke u vënë kështu në shërbim të firmës austriake. Deputeti tjetër i PD-së, për Qarkun e Dibrës, Selami Xhepa, nga njëra anë u jep të drejtë minatorëve për rritjen e pagës 20% dhe nga ana tjetër vepron gabim kur thotë se minatorëve nuk ka ç’u duhet kryerja e investimeve në minierë” - theksoi presidenti i KSSH-së. Nikollaj ripohoi dje se minatorët presin ndihmën e krerëve të grupeve parlamentare dhe ambasadorëve të atashuar në vendin tonë. “Sot jemi në pritje të mbërritjes së ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu dhe ambasadorëve të tjerë. Ata duhet të shohin nga afër sesi shkelen të drejtat e njeriut në vendin tonë”-deklaroi Nikollaj. Në orët e mëngjesit të sotëm do të mbahet një mbledhje e këshillit sindikal dhe pastaj do të organizohet një konferencë shtypi, ku do të bëhen publike lëvizjet e reja sindikaliste të minatorëve.
P. HASA