Minatorët kërkojnë rritje pensioni
Me dhjetëra minatorë nga i gjithë vendi u mblodhën paraditen e djeshme përpara selisë së Kryeministrisë, duke protestuar për pensionet e ulëta dhe statusin e minatorit. Ata kërkojnë që mosha e pensionit të bëhet 50 vjeç për të gjithë minatorët, për shkak të punës së rëndë që kryejnë, si dhe t’i jepet statusi i minatorit. Isuf Meta, minator në minierën e Kërrabës, thotë: “Marr një pension prej 96 mijë lekësh dhe kam punuar në minierë për 26 vjet dhe puna e vështirë që kemi bërë kërkon që të kemi dhe një pagesë ndryshe nga të tjerët”. Në kërkesat e tyre kërkohet që pensioni i minatorit të shkojë në 25 mijë lekë të reja, duke e cilësuar këtë si një shpërblim të denjë për punën që bëjnë. Më tej, zoti Meta ka shtuar: “Përpara pesë vitesh na janë premtuar se do t’i plotësonin kërkesat tona, por deri tani nuk është plotësuar asnjë”. Ndërsa Musa Stapa, që punon në minierën e Mirazezit prej 20 vjetësh, thotë: “Ne nuk jemi të siguruar në rast të sëmundjes së silikozës, e cila është sëmundje profesionale dhe nuk na jepet pension”. Në të gjithë Shqipërinë numërohen rreth 31 mijë minatorë.