E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i kërkuari nga FBI-ja për trafik të lëndëve narkotike



Policia shqiptare ka arrestuar një 56-vjeçar të kërkuar nga FBI-ja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Në prangat e agjentëve ka rënë Gazmir Gjoka, i cili jetonte prej vitesh në New Jersey. I ndaluari ishte shpallur në kërkim prej muajit mars nga autoritetet amerikane, si pjesë e një bande të madhe, e cila merrej me trafikun e lëndëve narkotike dhe të armëve në SHBA, si edhe në Evropë. Arrestimi i të kërkuarit u krye rreth orës 20:00 të mbrëmjes të së mërkurës afër stadiumit “Qemal Stafa”. Punonjësit e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, arritën të gjenin 56-vjeçarin, i cili fshihej në Shqipëri dhe të kryenin më pas arrestimin e tij. Ndaj tij, autoritetet e Interpol-Uashingtonit në SHBA e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar, me akuzën e “shitjes dhe shpërndarjes të lëndëve narkotike”. Ndërkohë, në ngarkim të Gjokës, autoritetet e New Jersey më datë 12 mars 2009, kanë vendosur masën e sigurisë në mungesë me “arrest në burg”. Sipas burime nga policia, Gjoka ishte pjesë e një grupi të përbërë nga shqiptarë, maqedonas e kosovarë e amerikanë, të cilët merreshin me shitjen dhe trafikun e lëndëve narkotike në SHBA. Grupi kriminal arrinte që të kishte shtrirje edhe në Serbi, Kosovë, Maqedoni e Holandë. Në përfundim të hetimeve në muajin mars u organizua operacioni “Shqiponja e zezë”, ku u ndaluan rreth 20 persona. Gjoka, i cili qëndronte në New Jersey, arriti t’i shmangej arrestimit dhe fshihej në Shqipëri. Gjatë operacionit u sekuestruan dy aeroplanë, që përdoreshin për transportimin e drogës në pikëmbërritjet e përcaktuara, rreth 500 mijë dollarë dhe një sasi droge. Për të zbuluar aktivitetin e grupit, FBI infiltroi agjentët e saj brenda grupit trafikues dhe ka përgjuar aktivitetet e tyre në New Jersey, Brooklyn dhe Staten Island. Agjentët e FBI-së të maskuar si keqbërës kanë rënë në kontakt me rrjetin dhe kanë blerë prej tyre 30.000 pilula të drogës “Ecstasy”, 2.5 kile heroinë, një revolver 9mm pushkë automatike dhe argjendari të vjedhura. Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, 56-vjeçari do t’i dorëzohet për qëllim ekstradimi autoriteteve të New Jersey-t në SHBA, ku do të nisë vuajtjen e dënimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›