E Shtunë, 31 Tetor 2026

UBT, regjistrohen të gjithë grevistët



Studentët grevistë të Universitetit Bujqësor të Tiranës janë regjistruar dje në programet e nivelit të dytë të studimeve në këtë institucion, pas përfundimit të pardjeshëm të grevës së urisë ku kishin hyrë.

Regjistrimi

Burime nga Universiteti Bujqësor bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme janë regjistruar të gjithë studentët që protestuan për ditë me radhë përpara universitetit, si edhe të gjithë ata që kishin hyrë në grevë urie.

Ndërkohë, ata do të kenë afat deri në datën 16 për t’u regjistruar, çka duket se nuk do të ketë më vlerë, pas regjistrimit masiv të ditës së djeshme. Studentët u shprehën të kënaqur që arritën të fitonin këtë betejë me shtetin shqiptar, me anë të një greve urie. Të gjithë ata ishin me mesatare nën 7, porse hynë në DND pas një vendimi të posaçëm të Këshillit të Ministrave, pas propozimeve të njëpasnjëshme e në kohë rekord të rektorit të UBT-së dhe të ministrit të Arsimit.

Zgjidhja e problemit

“Ministri i Arsimit dhe Shkencës menjëherë i propozoi Këshillit të Ministrave projektvendimin në fjalë. Këshilli i Ministrave e miratoi projektvendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës”, - bëri të ditur me anë të një njoftimi për shtyp Ministria e Arsimit.

Në këtë mënyrë, studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit të UBT-së mund të fillojnë të regjistrohen për studimet e nivelit të dytë (DND), duke nisur nga dita e nesërme. Ministri i Arsimit dhe Shkencës falënderon rektoratin e UBT-së dhe dekanatin e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit për bashkëpunimin.

Vendimi

Vendimi përcakton që prej ditës së sotshme dhe për katër ditë me radhë do të kryhet regjistrimi i të diplomuarve në DNP, në programet e Diplomave të Nivelit të Dytë. “Regjistrimet në këtë program studimi fillojnë në datën 12 deri 16 nëntor 2009, ora 16:00”, - përcaktohet në vendimin e rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, z. Fatos Harizaj.

Gjithashtu, UBT do të kërkojë edhe personel akademik shtesë për të plotësuar nevojat. “Për të mundësuar ofrimin normal të studimeve në këtë program studimi, rektorati do t`i paraqesë në vijim Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si edhe Konferencës së Rektorëve kërkesë zyrtare për mbështetje me personel akademik shtesë nga institucione të tjera të arsimit të lartë”, - bëri të ditur ministria.

Universiteti i Tiranës

300 kuota për transferim studimesh

Universiteti i Tiranës bëri dje publike listën e kuotave për transferim studimesh nga një universitet tjetër në UT, brenda të njëjtit profil. Aplikimet për transferim studimesh kanë përfunduar në Universitetin e Tiranës, ndërkohë që dje ka nisur procedura e shpërndarjes së kuotave në fakultete, të cilat do të shpallin fituesit në ditët në vijim.

Dega Kuotat

Histori 2

Gjeografi 3

Gjuhë-Letërsi 4

Gazetari 6

Anglisht 10

Frëngjisht 2

Italisht 2

Gjermanisht 5

Matematikë 10

Fizikë 10

Inxhinieri Matematike dhe Informatike 10

Biologji 2

Kimi 1

Informatikë 6

Punë Sociale 2

Filozofi 1

Sociologji 1

Psikologji 7

Shkenca Politike 9

Drejtësi 90

Mjekësi 10

Stomatologji 15

Farmaci 10

Infermieri e Përgjithshme 22

Mami (Infermieri) 5

Fizioterapi 3

Imazheri 2

Administrim-Biznesi 22

Ekonomiks 3

Financë Kontabilitet 22

Administrim Biznesi (Turizëm) Sarandë 3

Gjithsej 300

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›