Bosch: Jo komision të njëanshëm
Ndërkombëtarët kanë sulmuar ashpër mazhorancën pas përplasjes në Kuvendin për çështjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Ka qenë pikërisht diplomati holandez, Robert Bosch, i cili drejton Prezencën e OSBE-së në Tiranë, i cili e ka cilësuar si të pavlefshëm vendimin e shumicës për të ngritur komisionin hetimor edhe pa votat e opozitës. “Jam i zhgënjyer, pasi javën që shkoi u kërkova partive të gjejnë kompromisin që do të thotë të dy palët të tolerojnë. Dhe ajo që pamë ishte një paraqitje pa fund e këndvështrimeve të veta. Nuk kishte debat dhe kjo ishte pikërisht gjëja më negative që mund të imagjinonim. Komisioni duhej të votohej nga të dyja palët. Nëse është i njëanshëm nuk është shumë i vlefshëm. Duhet që ta miratojnë të dy në të kundërt është njësoj sikur të mos ekzistonte”, tha kreu i Prezencës në Tiranë, të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Ambasadori Bosch, në një dalje të tij publike ka dhënë një deklaratë e cila në tre plane tregonte një qëndrim të qartë të ndërkombëtarëve: i pari që ata ndihen të zhgënjyer nga vullneti politik i mazhorancës, i dyti që rrëzon qëndrimin e saj për komisionin hetimor dhe i treti që pa një konsensus me opozitën nuk mund të ketë zgjidhje të krizës. Nuk është rastësi që në këtë rast ndërkombëtarët kanë zgjedhur kreun e Prezencës së OSBE-së për të dhënë qëndrimin e tij, pasi përfaqësuesit e tjerë të Perëndimit i kishin konsumuar qëndrimet e tyre. Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, e ka bërë të qartë se pa zgjidhje të krizës nuk do të ketë avancim të Shqipërisë në hapat e integrimit. Por portat e një tryeze të re politike duket se nuk janë mbyllur përfundimisht dhe këtë e ka bërë të ditur me gjuhë diplomatike edhe ambasadori Robert Bosch, në deklaratën e tij, të bërë pikërisht pas daljes nga Kryegjyshata Bektashiane, ku ishin instaluar reflektorët e thuajse të gjithë mediave audiovizive shqiptare. Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, duke iu referuar mazhorancës dhe opozitës deklaroi se “Kanë ngelur në pikat e tyre dhe kjo nuk ndihmon. Por shpresoj që dyert të mos jenë të mbyllura totalisht dhe të vazhdohet. Ka vetëm një zgjidhje, por nëse secili këmbëngul në të vetën kjo zgjidhje nuk do të vijë”. Por në fund të deklaratës së tij, ambasadori Bosch dha një shpresë se mund të ketë një dritë në fund të tunelit: “Të dy palët duhet ta gjejnë zgjidhjen. Ishte shumë negative dhe zhgënjyese dhe shpresoj të mos jetë fundi. Besoj se nuk do të jetë fundi”. Një fjali që konfirmon një opsion që po qarkullon së fundmi në qarqet diplomatike në Tiranë, i cili normalisht do të ketë sukses vetëm se ekziston vullneti politik i mazhoracës dhe opozitës për ta zgjidhur. Burime diplomatike i thanë “Shqip” se si një variant i mundur kompromisi për draftin e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit mund të afrohet një variant i përpiluar nga ekspertët e Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Variant që përpiqet të përafrojë dy qëndrimet si të socialistëve ashtu edhe të demokratëve, por që normalisht do të lobohet me anë të presionit të kancelarive të rëndësishme perëndimore, të cilat flasin për një riaktivizim të rolit të Presidentit të Republikës.
#