E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët në ditën e 4 të grevës, një grevist pa ndjenja në spital

BULQIZË- 16 minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e katërt të grevës së urisë që zhvillohet 1400 metra nën tokë, në minierën e Bulqizës. Sot në ditën e 4-t minatorët kanë ndryshuar dy pika të kërkesës së tyre atë për rritjen e pagës dhe largimin e administratorit aktual të ACR. Tashmë ata nuk kërkojnë rritje me 20%, por me 40%.

Mësohet gjithashtu se gjendja shëndetësore e grevistëve të urisë sa vjen e përkeqësohet për shkak të lagështirës në thellësitë e nëntokës. Në mesditë grevisti Mirdash Neziri është dërguar pa ndjenja në spital, ndërsa disa prej tyre vuajnë nga zemra e diabeti. Megjithkëtë ata shprehen të vendosur të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre për rritjen me 40% të pagës, heqjen e taksës së dyfishtë, përmirësimin e kushteve të punës, uljen e moshës së pensionit dhe largimin e subjekteve të palicencuara.

“Asnjë përfaqësues i qeverisë dhe as nga kompania ACR nuk ka shkuar të takojë grevistët", raporton nga Bulqiza korrespondenti Enver Doci. Sipas tij, një minator ka paraqitur gjendje tepër të rëndë, por nuk ka pranuar të marrë as serum. Po sipas tij, gjendja atje paraqitet e rëndë, me lagështirë e dioksid karboni në ajer.

“Jam në gjenje jo të mirë, për të mos thënë drastike. Ne nuk po bëjmë grevë urie të rrimë ditën e të ikim natën. Ne jemi të vendosur të flijohemi nëse nuk plotësohen pikat tona”, tha një minator.

“I bëjmë thirrje kryeministrit ta kthejë kokën sa më shpejt nga Bulqiza”, shprehet një tjetër minator.

Kanë qënë fillimisht 25 minatorët që nisën grevën, por për shkak të mungesës së hapësirave në galerinë e minierës së kromit, kanë mbetur vetëm 16, ndërsa pjesa tjetër ka dalë ditën e djeshme. Po dje METE gjobiti me 56 milion lekë kompaninë austriake ACR, për mungesën e investimeve në minerën e Bulqizës.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera METE gjobit ACR me 56 mln lekë, minatorët në ditën e 3 të grevës FOTO: 16 minatorë vazhdojnë grevën e urisë 1400m nën tokë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›