E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët në grevë: Çdo ditë vdesin 8 prej nesh

Një grup minatorësh doli sot në grevë para Bashkisë së Durrësit, në mbështetje të grevës së minatorëve të tjerë në Tiranë. Minatorët e Durrësit kanë protestuar duke kërkuar statusin e minatorit, si dhe kundër ndërprerjes së paligjshme të pensioneve.

Minatorët janë shprehur se protesta para Bashkisë është në shenjë të protestës kundër institucioneve qeveritare që deri më tani ishin treguar veshshurdhër kundrejt kërkesave të tyre. Ata thanë se në rast të mosplotësimit të kërkesave muajin e ardhshëm do të hyjnë në grevë urie në Tiranë, bashkë me pjesëmarrës të tjerë nga të gjitha qytetet.

Ndër të tjera minatorët kërkuan daljen në pension në moshën 50-vjeçare. “Çdo ditë tetë minatorë ndërrojnë jetë”, u shprehën ata, duke i mbështetur kërkesat e tyre në vështirësitë e punës dhe në jetën e shkurtër të gjithsecilit.

Edhe sindikatat e minatorëve të rajonit të Korçës i janë bashkuar sot grevës së minatorëve në vend. Ata kanë bërë një tubim paqësor duke u drejtuar nga bashkia e qytetit drejt prefekturës, ku kanë kërkuar mbështetje të kërkesave të minatorëve në Tiranë, duke theksuar në mënyrë të veçantë uljen e moshës së pensionit nga 60 vjet në 50 vjet. Tubimet e minatorëve në Korçë do të vazhdojnë për gjashtë ditë, ndërsa pritet që ditën e shtatë t’i drejtohen grevës së përgjithshme në Tiranë.(E përditësuar)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›