Ulen temperaturat, shtohet fluksi i të sëmurëve
Korçë – Ndryshimi i menjëhershëm i motit ka sjellë jo pak pasoja negative në shëndetin e njerëzve në rrethin juglindor të Korçës. Gjatë ditëve të fundit ulja e temperaturave ka qenë deri në pesë gradë dhe si rrjedhojë ka pasur shfaqje të ndryshme të virozave të stinës së vjeshtës.
Nga ana e mjekëve mësohet se pranë qendrave shëndetësore është rritur ndjeshëm fluksi i vizitave, në një kohë që më të prekur nga sëmundjet janë fëmijët, si dhe moshat e treta. Numri i vizitave ka arritur në një mesatare deri në 30 çdo ditë, ndërkohë që më parë shkonte nga 10-15.
Temperatura e lartë, kollë dhe teshtitje janë edhe shenjat e para të kësaj viroze stinore. Edhe pse raste të rënda nuk ka pasur, mjekët këshillojnë që në rast se temperatura e lartë vazhdon gjatë, njerëzit t’u drejtohen qendrave shëndetësore ose shërbimit spitalor për vizitë.