E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët protesta për statusin: S`pranojmë bisedime me qeverinë

Autori i Lajmit: Redaksia

Minatorët deklarojnë se do të përshkallëzojnë protestat e tyre ndaj qeverisë, nëse ekzekutivi nuk miraton në mënyrë të menjëhershme kërkesat e tyre.
Pas tri episodeve të protestave masive para kryeministrisë në Tiranë të cilat u shoqëruan edhe me incidente e përplasje fizike me policinë, minatorët deklarojnë përsëri se nuk tërhiqen e madje nuk pranojnë as bisedime me qeverinë.
Duke komentuar ngritjen e një grupi pune nga qeveria për rishikimin e statusit të minatorëve, Fiqiri Xibri, kryetar i shoqatës, thotë se një veprim i tillë tregon mungesën totale të seriozitetit nga qeveria në lidhje me këtë çështje.
“Ne i jemi drejtuar në mënyrë institucionale qeverisë, në këtë mënyrë edhe ajo duhet të na drejtohet ne”, tha Xibri i cili shton se minatorët nuk kërkojnë më bisedime me qeverinë por duan miratimin e menjëhershëm të kërkesave të tyre.
Kreu i sindikatës së minatorëve theksoi se Qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion, dhe qindra herë mund ta kishte llogaritur koston e kërkesave që kanë minatorët, por nuk e ka bërë këtë për mungesë vullneti.
“Fakti që Qeveria nuk e ka bërë këtë tregon mashtrimin dhe hipokrizinë e radhës”, tha Xibri. Pas protestës së fundit te kryeministria, ai është paditur penalisht në Prokurori nga Drejtoria e Policisë së Tiranës për tubim të paligjshëm dhe bllokimin e Bulevardit përtej afatit në të cilin ishte dhënë leje me shkrim.
Minatorët kërkojnë përmirësimin e trajtimit financiar, kompensimin e çmimit të rritur të energjisë, miratimin e statusit dhe një sërë masash ndihmëse nga qeveria
Ky lajm është publikuar: 15/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›