Miratohen projektet restaurues për Kalanë e Tiranës dhe Amfiteatrin e Durrësit
Izaura Ndoj
Në ambientet e Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u zhvillua dje mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar i Arkeologjisë, me kryetarin e këtij këshilli vetë ministrin Xhaferaj. Në mbledhje u shqyrtuan propozimet rreth projekteve të Institutit të Arkeologjisë për vitin 2010, dhe u miratuan gjithashtu dy projektet për Amfiteatrin e Durrësit dhe Kalanë e Tiranës. Projektet mbi gërmimin dhe restaurimin e Amfiteatrit dhe Kalasë u prezantuan nga studio private “Frashëri”. Dy projektet e restaurimit sipas drejtorit të studios “Frashri” u bënë për qëllime muzeale dhe për të krijuar një projekt turistik muzeal për qytetarët e Tiranës. Projekti i restaurimit të Kështjellës së Tiranës do të mbështeten në projektin mbi murin rrethues, në ambientin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Nga qendra që ka marrë përsipër projektin restaurues mendohet të kthehen shumë pjesë që kanë ekzistuar më përpara. Një nga këto është dhe kinemaja e fëmijëve e cila është ndërtuar në kohën e kthimit të banesës mbretërore në Qendër Kulturore të Fëmijëve(1957-58). Përveç funksionit si kinema, në këtë ndërtesë të vogël janë kryer festivale dhe konkurse të teatrit, koncerte muzikore për solista dhe orkestër, shfaqje dhe konkurse letrare, ceremoni dhe shumë aktivitete të tjera për fëmijët. Në programin e restaurimit të objekteve të brendisë së kështjellës do të merrte një justifikim të plotë rikthimi i funksionimit të saj. Ajo është një ndërtesë historike me një përdorim aktual kuptimplotë si sallë kinemaje dhe shfaqje për vizitorët në Parkun Arkeologjik të ardhshëm. Prej dekadash Amfiteatrin e Durrësit ka qenë në vëmendjen e mbrojtësve të monumenteve, restauratorëve dhe arkeologëve shqiptarë për ruajtjen dhe pajisjen e tij me vlera muzeale. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit ai ka qenë edhe në vëmëndjen e specialistëve të huaj. Në dekadat e fundit monumenti është mbrojtur nga një rrethim i thjeshtë, i cili ka penguar lëvizjen e pakontrolluar të njerëzve. Ai është vënë në funksion të vizitorëve, pavarësisht nga kushtet e pamjaftueshme të ekspozimit të tij. Gjithashtu janë kryer ndërhyrje sporadike konservimi me çimento mbi sipërfaqen e ndenjëses së ruajtur në anën veriore për të penguar depërtimin e ujërave të reshjeve në thellësitë e strukturave të amfiteatrit, të cilat më shumë kanë dëmtuar e zhdukur gjurmët e shkollarëve, se sa ia kanë arritur qëllimit tjetër. Me rëndësi janë ndërhyrjet dhe preokupimi për ruajtjen e konservimin mozaikëve murale në muret e Kapelës bizantine, të ndërtuar gjatë mesjetës së krishterë në brendinë e nën strukturave të amfiteatrit. Ndërhyrja restauruese është lidhur me gjendjen e ruajtur të amfiteatrit, në te cilin dallohen tre pjesë kryesore: Hapësira Veriore e Amfiteatrit që ruhet në lartësinë më të madhe, ku përfshihet gjysma veriore e tij, gati 50% e sipërfaqes planimetrike. Në këtë pjesë ruhen më mire se kudo elementët përbërës të fazës fillestare të ndërtimit të amfiteatrit. Ndërhyrja restauruese është lidhur me gjendjen e ruajtur të amfiteatrit, në te cilin dallohen tre pjesë kryesore. Pjesa e Segmentit Muzeal të Kapelës në anën perëndimore, rreth 10% e planimetrisë së amfiteatrit. Hapësira jugore në pjesën e mbetur (rreth 40% e sipërfaqes planimetrike), në të cilën faktikisht nuk shihen gjurmët ndërtimore të amfiteatrit.
17 Mars 2010