Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë në edicionin e tretë
Në qytetin e Korçës në fund të muajt prill nis konkursi ndërkombëtar i fotografisë “Sotiri”, i cili arrin në edicionin e tretë të tij, një eveniment i rëndësishëm kulturor i organizuar nga bashkia e Korçës dhe qendra kulturore Lind Art. Çmimi “SOTIRI “, është një konkurs ndërkombëtar për fotografë të rinj, i cili e nisi aktivitetin e tij fillimisht në kuadrin e Projekt 5.6, të financuar nga SCP in the Western Balkans. Aktiviteti mban emrin e fotografit korçar Kristaq Sotirit (1883-1970), i cili u formua si fotograf në studion Steckel në SHBA. Ai mësoi atje jo vetëm bazat e fotografisë dhe teknikës së portretit, por u njoh edhe me piktoralizmin, mjaft në modë në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Sipas Fransua Sheval, drejtor i muzeut Nisefor Nieps në Francë, Sotiri ishte mjeshtër në kapjen e çastit të duhur dhe në kompozimin inteligjent të ngjarjeve dhe portreteve të njerëzve të qytetit të tij, që ai i njihte mirë. Për të promovuar këto vlera të fotografisë shqiptare dhe për të ndërtuar një traditë të re të zhvillimit dhe promovimit të fotografisë në Shqipëri, për të promovuar risitë në fushën e fotografisë bashkëkohore ky konkurs sjell çdo pranverë fotografë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota në një ekspozitë dhe në një panel diskutimi në qytetin e bukur të Korçës. Çmimi Sotiri realizohet në partneritet me Bashkinë e Korçës dhe nën kujdesin e kryebashkiakut, zotit Niko Peleshi.
17 Mars 2010