E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimet e studimeve, UT publikon 300 kuotat e pranimit sipas degëve



Jonida Tashi

Universiteti i Tiranës publikon numrin e studentëve të transferuar nga universitetet e rretheve, që do të pranohen në këtë institucion, për vitin akademik 2009-2010. Gazeta detajon sot, 300 kuotat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit, për transferim studimesh nga universitetet e tjera për në Universitetin e Tiranës, në degë të të njëjtit profil. Duke qenë se këto kuota kanë ardhur mbërritur pak ditësh në Universitetin e Tiranës, ndërsa aplikimet kanë përfunduar, kandidatët e interesuar për transferim studimesh nuk kanë qenë të informuar se sa studentë do të pranohen në secilën prej 31 degëve të UT-së. Burime nga UT-ja bëjnë të ditur se megjithëse aplikimet janë mbyllur para disa ditësh, për arsye të mbërritjes me vonesë të kuotave të pranimit, rezultatet e fituesve do të dalin ditën e hënë. Ndërkohë që burime nga Drejtoria e Kurrikulës dhe Standardeve pranë Universitetit të Tiranës, sqarojnë se tashmë janë detajuar edhe emrat e studentëve të përzgjedhur, që kanë fituar të drejtën për të vijuar pjesën e mbetur të studimeve të larta në këtë universitet.
Përgjigjet
Studentët që kanë aplikuar për të transferuar studimet në Universitetin e Tiranës duhet t’i drejtohen fakulteteve përkatëse, për të mësuar nëse janë përzgjedhur ose jo. Drejtoria e Kurrikulës dhe Standardeve në UT, sqaron se përgjigjet e transferimit janë dërguar në sekretaritë e tetë fakulteteve në varësi të Universitetit të Tiranës (UT), të cilat, pas dhënies së konfirmimit përfundimtar të studentëve që pranojnë të transferohen, do të kryejnë regjistrimin e tyre në vitin dhe degën përkatëse. Për studentët që duan të transferohen në Universitetin e Tiranës, Komisioni i Ekuivalentimit, i ngritur pranë çdo Departamenti, mbi bazën e dokumentacionit që ka dërguar universiteti përkatës, ka përcaktuar detyrimet që do të ketë studenti, sipas planit mësimor në fuqi si dhe njohjen e shlyerjes së lëndëve me ekuivalencë. Përveç përcaktimit të detyrimeve që duhet të shlyej studenti, vendimi i transferimit shoqërohet edhe me disa të dhëna të hollësishme si: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer.
Tarifat
Studentët që do të transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, do t’i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet. Për vitin akademik 2009-2010, në total, në 11 universitetet publike të vendit do të pranohen 700 studentë të transferuar. Kjo është shifra zyrtare e miratuar nga qeveria për transferimin e studimeve e ciklit të parë me kohë të plotë për vitin e ri akademik. Gjithmonë në marrjen e vendimit për transferimet, universitetet i referohen kushtit të vendosur nga qeveria, se transferimet e studentëve do të bëhen deri në 5 për qind të numrit të pranimeve të reja të vitit. Vendimin për pranimin e studentëve të propozuar për transferim, e merr Rektorati i çdo universiteti, pasi ka marrë mendimin e dekanatit përkatës, si dhe duke pasur parasysh mundësitë e kapacitetin e degës. Vendimi shoqërohet me të dhëna të hollësishme për studentin: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer.

Kuotat e miratuara për transferim studimesh
Universiteti i Tiranës
Dega Kuotat
Histori 2
Gjeografi 3
Gjuhë-Letërsi 4
Gazetari 6
Anglisht 10
Frëngjisht 2
Italisht 2
Gjermanisht 5
Matematikë 10
Fizikë 10
Inxh.Matematikë dhe Informatikë 10
Biologji 2
Kimi 1
Informatikë 6
Punë Sociale 2
Filozofi 1
Sociologji 1
Psikologji 7
Shkenca Politike 9
Drejtësi 90
Mjekësi 10
Stomatologji 15
Farmaci 10
Infermieri e Përgjithshme 22
Mami (Infermieri) 5
Fizioterapi 3
Imazheri 2
Administrim-Biznesi 22
Ekonomiks 3
Financë Kontabilitet 22
Administrim Biznesi (Turizëm) Sarandë 3
Gjithsej 300

Viti akademik 2010-2011
Rumania shpall programin e bursave të Doktoratës dhe Postdoktoratës

Ambasada e Rumanisë në Tiranë njofton se qeveria rumune ka shpallur programin e bursave për Doktoratë dhe Postdoktoratë “Eugen Ionescu”, për vitin akademik 2010-2011. Programi i adresohet gjithë të interesuarve për programet e studimit të Doktoratës dhe kërkuesve nga shtetet anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (ONF). Bursat akordohen nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë (www.mae.ro) dhe administrohen nga Agjencia Universitare e Frankofonisë (www.auf.org/regions/europe-orientale). Kohëzgjatja e bursës së studimit varion nga 3 deri në 5 muaj, duke filluar në datën 1 prill 2010. Secili kandidat i interesuar duhet të marrë kontakt me një nga 22 universitetet rumune dhe, pasi të jetë pranuar nga njëri prej tyre, duhet të dorëzojë dosjen personale pranë zyrës rajonale të Agjencisë Universitare të Frankofonisë (AUF), së cilës i përket universiteti ku ka aplikuar. Më pas, dokumentacioni përcillet pranë zyrës rajonale për Evropën Qendrore dhe Lindore të AUF-së, me seli në Bukuresht. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet nga një Komision Rajonal ekspertësh. Për mënyrën e aplikimit dhe për informacion të mëtejshëm, të interesuarit duhet t’i referohen adresave sipas listës së universiteteve të përfshira në Programin e Bursave “Eugen Ionescu” dhe faqes ose linkeve të internetit të Agjencisë Universitare të Frankofonisë në Bukuresht (Agence Universitaire de la Francophonie). Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve pranë zyrës rajonale për Evropën Qendrore dhe Lindore të AUF-së është data 11 dhjetor 2009. Për çdo informacion tjetër mund të merrni në numrat e telefonit 2230197. Lista e adresave të e-mail-eve dhe të internetit të universiteteve referuar faqes të internetit: http://www.auf.org/IMG/pdf/Univ_açueil_var_4.pdf

Liberalizmi i vizave
Ministri i Punës thërret mbledhjen e Komitetit Teknik për Migrimin

Ministri i Punës, Spiro Ksera, thirri dje mbledhjen e parë të Komitetit Teknik për Migrimin, në të cilin institucionet përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për Migrimin kanë raportuar rreth punës së bërë për zbatimin e masave konkrete të parashikuara nga këto dy dokumente të rëndësishme. Sipas ministrit Ksera, ngritja e Komitetit është një hap i rëndësishëm që tregon rritjen e vëmendjes së qeverisë për migrantët dhe migrimin, si dhe shtimin e përpjekjeve për përmirësimin e menaxhimit të migracionit, si një objektiv prioritar i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Duke u ndalur tek dokumentet politikë për migrimin, ministri vuri në dukje se, “Strategjia Kombëtare për Migrimin dhe Planin Kombëtar i Veprimit janë dy dokumente të rëndësishme, zbatimi i të cilave duhet të bëhet në mënyrë më krijuese, efeciente dhe me rezultate të verifikueshme e konkrete”. Hartimi dhe zbatimi i një legjislacioni bashkëkohor në fushën e migrimit dhe veçanërisht integrimi i emigrantëve, sipas Kserës, përbëjnë edhe kushte për liberalizmin e vizave, një proces ky shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Më tej, ministri Ksera tërhoqi vëmendjen rreth nivelit të realizimit të detyrave të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Migrimin dhe Planin Kombëtar të Veprimit nga ana e institucioneve përgjegjëse, duke u ndalur tek përfundimet e Raportit të parë. Në këtë raport është evidentuar se nga 66 masa të parashikuara në Strategji, 20 prej tyre, ose 30.3% janë zbatuar pjesërisht dhe 17, ose 25.7 %, nuk janë zbatuar. Ky fakt sipas ministrit të Punës, duhet të përbëjë një apel për të gjitha institucionet përgjegjëse.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›