E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët protestojnë para Kuvendit, përplasen dhunshëm me policinë

Punonjësit e nëntokës nuk janë larguar të qetë nga protesta e tyre e djeshme, e cila ishte menduar të zhvillohej në kushte demokratike. Gjatë paradites së djeshme, minatorët nga i gjithë vendi kanë protestuar para Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar të tërheqin vëmendjen e përfaqësuesve të popullit lidhur me problemet e tyre. Synimi kryesor i protestës ka qenë takimi me përfaqësues të shtetit për të diskutuar lidhur me shqetësimet dhe kërkesat e kësaj kategorie për përmirësimin e jetesës së tyre në përgjithësi dhe gjendjes shëndetësore në veçanti. Por protesta e djeshme ishte ndryshe nga tubimet e organizuara zakonisht prej minatorëve. Ndërsa organizimet e mëparshme janë shoqëruar me qetësi, këtë herë minatorët janë konfrontuar me forcat e policisë. Madje, kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqëri Xibri, ka deklaruar se njëri prej protestuesve është goditur dhe ka thyer kërcirin e këmbës nga përplasjet e krijuara dje, gjatë protestës.

Protesta

Punonjësit e nëntokës zotërojnë lejen e marrë në polici për protestën para Kryesisë së Kuvendit. Në këtë leje paracaktohen dita, ora dhe vendi ku do të mbahet protesta, por pavarësisht kësaj, protesta e minatorëve dje ka degraduar në përleshje me policinë. "Moti me shi, mosha e burrave të vjetër na kanë detyruar të mbledhim plaçkat dhe të nxjerrim ata minatorë që i janë futur grevës së urisë pak ditë më parë. Gjatë protestës është ushtruar dhunë dhe njëri prej protestuesve ka thyer kërcirin e këmbës, kur një polic i ka gjuajtur me shkelm", tha kreu i Shoqatës së Minatorëve, Fiqëri Xibri. Sipas tij, protestat do të përshkallëzohen më tej dhe do të vazhdojnë para institucioneve të tjera, deri në përcaktimin e një takimi konkret me përfaqësues të qeverisë. "Na kanë njoftuar që mund të bëjmë një takim me zv/ministrin e Punës, por ende nuk është caktuar saktësisht", theksoi Xibri. Që prej 5 ditësh, minatorët kanë hyrë në grevë urie, pasi kërkesat e tyre nuk janë realizuar ende që nga ndërprerja e grevës së urisë zhvilluar dy muaj më parë. Sakaq, protestat do të vazhdojnë jo vetëm para dyerve të institucioneve, por edhe në kalimet e rrugët kryesore të vendit.

Kërkesat

Si kërkesë kryesore e tyre është rritja e pagës dhe pensionit, ulja e moshës për vjetërsi në punë. Kjo kërkohet nisur nga një studim, i cili arriti në përfundimin se shumica e minatorëve nuk mund të përfitonin pension, pasi në shumë raste punonjësit e nëntokës nuk arrijnë të gëzojnë përfitimin e moshës së pleqërisë, për vite me radhë. Minatorët kërkojnë një pension minimal prej 25 mijë lekësh dhe një pagë minimale prej 45 mijë lekësh. "Kërkesa të tilla janë normale, më pas miratimi i statusit të punonjësit të nëntokës rregullon edhe moshën dhe vjetërsinë, që duhet të mbushet për të dalë në pension", përfundoi kreu i Shoqatës së Minatorëve.

Minatorë nga Tirana dhe të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit kërkojnë takim me Kryeministrin Sali Berisha, ose me ndonjë përfaqësues tjetër të Kryeministrisë. Minatorët duan të diskutojnë për kërkesat e tyre. Punonjësit e nëntokës, gjatë protestës së djeshme, mbanin në duar parulla si "Sindikalizëm, jo hipokrizi", "10 vjet nëntokë, 50 vjet në pension".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›