E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku nga qumështi kinez, tregjet tona të mbushura plot

Tregu shqiptar është i mbushur me nënprodukte të qumështit, prodhime të importuara nga Kina, që kanë në përbërje mbi 15% qumësht.

Askënd në Ministrinë e Bujqësisë nuk e bren dyshimi se qumështi që është importuar nga Kina mund të jetë i kontaminuar me melaminë. Në një kohë kur të gjitha vendet e BE-së kanë dhënë alarmin dhe kanë bllokuar hyrjen nga Kina të produkteve që kanë në përbërjen e tyre mbi 15% qumësht, në Shqipëri askush nuk e kontrollon tregun. Vetë tregtarët çuditen kur i pyet se mos qumështi që ata shesin në dyqanet e tyre është i kontaminuar me melaminë ose jo. Ndërkohë që, në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të sigurojnë se në tregun shqiptar as që bëhet fjalë që të ketë produkte të tilla.

Të çuditur nga zhurma që po bëhet për heqjen urgjente nga tregu të këtyre produkteve në shtetet fqinje të Italisë dhe Greqisë, menduam që të mos mjaftoheshim vetëm me fjalën e drejtuesve të Drejtorisë së Sigurisë së Ushqimit, por të dilnim vetë në treg.

Në mes të Tiranës, nëpër raftet e supermarketeve, gjen pa fund qumësht të kondensuar, shënimi mbi etiketën e të cilit tregon qartë se është importuar nga Republika Popullore e Kinës. Ndërkohë që, Agjencia e Sigurimit të Ushqimit Evropian ka lëshuar një deklaratë më datë 25 shtator 2008, me të cilën deklaron ndalimin e importimit nga Kina të çdo produkti me përbërje më të lartë se 15% qumësht kinez.

Sipas OBT-së, (ku edhe vendi ynë është anëtar), një vend anëtar ka të drejtën e refuzimit të hyrjes së një malli të dëmshëm (kjo përcaktohet në nenin 2).

Gjithashtu, futja e këtyre produkteve duhej të ishte e ndaluar në territorin shqiptar, ose duhet të merreshin masa për heqjen e tyre nga tregu, në bazë të detyrimeve që rrjedhin si pasojë e firmosjes së MSA-së dhe Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë.

Por, si gjithmonë, në Shqipëri merren masa pasi ndodhin tragjeditë.

"Fiks Fare" për dy ditë me radhë kërkoi një përgjigje nga Ministria e Bujqësisë për problemin e qumështit të kontaminuar me melaminë. Zëdhënësi i këtij institucioni, si gjithmonë refuzoi të jepte një përgjigje.

Për problemin e qumështit të kontaminuar me melaminë janë interesuar në Drejtorinë e Sigurisë së Ushqimit në Ministrinë e Bujqësisë edhe përfaqësuesit e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Por atje, nga drejtoresha Valbona Paluka mori konfirmimin e sigurt, që në tregun shqiptar nuk ka qumësht të tillë. Siç duket, inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë nuk kanë dalë jashtë derës së institucionit ku punojnë, sepse do të kishin gjetur në çdo kioskë të Tiranës qumësht të kondensuar të importuar nga Kina, apo lëndë të parë për prodhimin e ëmbëlsirave, në përbërje të të cilit ka mbi 15% qumësht, edhe ky prodhim kinez. Kur i tregojmë Altin Goxhajt produktet që gjetëm në treg, ai na premton se do të interesohet përsëri me urgjencë në Ministrinë e Bujqësisë për këtë skandal.

NENI 76 (MSA)

Mbrojtja e konsumatorit

Palët do të bashkëpunojnë në lidhje me përafrimin e standardeve për mbrojtjen e konsumatorëve në Shqipëri me standardet komunitare. Mbrojtja e efektshme e konsumatorit është e nevojshme për të siguruar funksionimin e duhur të ekonomisë së tregut. Ajo varet nga zhvillimi i një infrastrukture administrative për të siguruar mbikëqyrjen e tregut dhe zbatimin e ligjeve në këtë fushë. Për këtë qëllim dhe në kuadër të interesave të tyre të përbashkëta, palët do të inkurajojnë dhe garantojnë: një politikë për mbrojtjen aktive të konsumatorëve, në përputhje me të drejtën komunitare; harmonizimin e legjislacionit të mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri me atë ekzistues në komunitet; mbrojtje efikase ligjore për konsumatorët, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e mallrave të konsumit dhe ruajtjen e standardeve të duhura të sigurisë; monitorimin e rregullave nga autoritetet kompetente dhe garantimin e aksesit te drejtësia, në rast mosmarrëveshjesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›