Nxjerrja dhe shitja e kromit, konflikte mes firmave rivale
Numri i privatëve të licencuar dhe të palicencuar, në shfrytëzimin e galerive dhe stoqeve të kromit në minierën e Bulqizës, ka ardhur në rritje. Kjo ka çuar në shtimin e konflikteve mes firmave lidhur me ndarjen e territoreve për shfrytëzimin e kromit. Shpesh konfliktet kanë përfunduar në kërcënime të forta, deri në përdorimin e armëve. Pak muaj më parë, në një përplasje të tillë, humbi jetën 50-vjeçari Fadil Doda. Ai u vra nga shoku i tij pa dashje, në përpjekje për të vrarë kundërshtarin. Firma më e madhe private koncesionare që ushtron aktivitetin në shfrytëzimin e kromit është ajo ruso-austriake, "Albanian Chrome ACR", që së bashku me të licencuarit e tjerë shkojnë në dhjetëra. Sipas kryesindikalistit të minierës, Dilaver Përkoxha, aktualisht numërohen mbi 30 firma private të licencuara ose jo, që nxjerrin dhe shesin mineralin e kromit. Përplasjet mes firmave janë kryesisht për kufijtë e territoreve. Koncesionarja "Albanian Chrome ACR" ankohet se privatët ushtrojnë aktivitet brenda territorit të saj. Kryesindikalisti Përkoxha akuzon se është vënë dorë edhe mbi hartën e kësaj miniere, që u përpilua në 2001-shin, në kuadër të privatizimit të saj, duke ndryshuar koordinatat e shtrirjes së galerive dhe stoqeve të kromit në dëm të kompanisë. Ndërhyrjet në territorin e minierës, pjesë e kontratës koncesionare, edhe pse jo me emra, konfirmohen nga drejtori aktual i saj, Petrit Duva. Sipas tij, këto ndërhyrje janë bërë në pjesën jugore të minierës, ose në Zonën D, galeritë e së cilës janë shpallur të rrezikshme nga specialistët e minierave. "Kemi bërë disa herë denoncime në polici për këtë problem, por për fat të keq nuk kemi marrë zgjidhje prej saj", thotë drejtori Duva. Ndryshe qëndron e vërteta, sipas firmave të tjera private. Ato ankohen se është firma e huaj koncesionare ajo që do të zaptojë galeritë e tyre, për të cilat shprehen se kanë licenca. Drejtuesit aktualë të minierës janë ata që kanë ndryshuar hartën e territorit të saj, për të zaptuar krejt Zonën D, pasi janë drejtues firmash private, edhe pse të regjistruara jo në emrin e tyre. Shumë minatorë janë të revoltuar edhe me drejtuesit sindikalistë, pasi dyshojnë se ata janë bërë palë me drejtuesit e minierës në dëm të interesave të tyre. Me situatën e tensionuar mes firmave të kromit, janë informuar edhe strukturat e specializuara të shtetit, si policia, prokuroria dhe METE, prej të cilave kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për zgjidhjen e këtij problemi.