E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët refuzojnë takimin me ACR, familjarët bllokojnë rrugën

Kompania ACR ka bërë të ditur dje se sot në orën 10.00 do jetë në qytetin e Peshkopisë për bisedime me minatorët. Sipas kësaj kompanie, bisedimet do mbahen në prefekturën e Dibrës në prani edhe të kryetarit të Bashkisë së Bulqizës. Por minatorët e kanë refuzuar këtë propozim të kompanisë ACR. Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal për 27 minatorë, të cilët janë organizatorë të protestës që coi sot në bllokimin për rreth dy orë të aksit nacional Bulqizë-Tiranë. Sipas policisë, protesta e zhvilluar sot ishte e paligjshme, ndaj përgjegjësit do të marrin ndëshkimin e parashikuar në ligj.

Bllokimi i rrugës

Tensionohet situata në Bulqizë. Ndërsa minatorët vazhdojnë grevën e urisë nëntokë në kushte shumë të rrezikshme, si për jetën e grevistëve, ashtu edhe për vetë minierën e kromit, jashtë qindra qytetarë, familjarë të grevistëve e minatorë kanë protestuar dje paradite duke bllokuar për 2 orë aksin nacional Tiranë-Peshkopi. Ata kërcënuan se nëse kompania koncesionare ACR nuk plotëson kërkesat e minatorëve dhe qeveria nuk ndërhyn për të ndihmuar minatorët, atëherë do përshkallëzojnë grevën. Ka pasur dhe përleshje mes minatorëve protestues dhe policisë. Ndërkaq dje policia ka ndaluar dy sindikalistë të minatorëve në Bulqizë. Ndalimi i sindikalistëve Bajram Duka dhe Zija Shyti u bë pasi policia i konsideron si përgjegjës të bllokimit të rrugës nacionale sot në Bulqizë.

Në ditën e 17-të të saj, specialistët thonë se situata brenda në minierë, në nivelin e 14-të nën tokë, është alarmante dhe grevistët rrezikojnë seriozisht të vdesin brenda në galeri. Për më se dy javë, ata mezi mbushen me frymë në thellësitë e nëntokës. Është konstatuar se në minierë është shtuar lagështira, ndërsa ka pasur edhe rrëshqitje të argjinaturave, çka rrit rrezikun për 13 minatorët grevistë.

ACR: Pranojmë takimin në Peshkopi

ACR ka pranuar dje që të takohet me çdo minator dhe takimi të realizohet në Peshkopi, por minatorët kanë reaguar dhe kanë kërkuar që takimi të kryhet në Bulqizë. Kompania ACR i ka bërë sërish thirrje minatorëve të Bulqizës të ulen në bisedime, por këtë herë ka propozuar që takimi të zhvillohet në qytetin e Peshkopisë. “ACR ka patur dhe vazhdon të ketë vullnetin e mirë për të zhvilluar bisedime konstruktive me minatorët. ACR nuk insiston që takimi të zhvillohet në Tiranë, ndërkohë propozon që takimi të zhvillohet në qytetin e Peshkopisë, për lidhjen dhe afërsinë që ka me Bulqizën, për të qenë më pranë minatorëve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e negociatave”, thuhet në letrën e ACR-së, e cila vijon: “Jemi gati të ulemi në bisedime me secilin nga minatorët e kompanisë sonë, përveç atyre personave që kanë ushtruar dhunë ndaj administratës së ACR”. Në përfundim, ACR thekson se pas insistimit të vazhdueshëm të një grupi minatorësh, të cilët mendojnë se kërkesat e tyre nuk janë përfaqësuar siç duhet , ACR kërkon që një përfaqësues i tyre të përfshihet në grupin e 5 minatorëve që do të marrin pjesë në negociata. Por përfaqësia e minatorëve insiston që takimi të zhvillohet vetëm në Bulqizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›