E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari vret për vend-parkimi grekun 79 vjeçar

Pushimet janë kthyer në probleme dhe në makth për një familje greke dhe një familje shqiptare në Sarandë. Një i moshuar grek, i cili kishte shkuar në Sarandë për të pushuar, ka humbur jetën pas një sherri banal me një shqiptar me nënshtetësi franceze. Kostandinos Karadhimas, 79 vjeç, lindur dhe banues më Lamias të Greqisë, i cili ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, është konfrontuar në parkingun e hotelit ku po pushonte me një tjetër pushues, Xhemal Kullain, 53 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Francë me pasaportë franceze. Të dy këta shtetas kanë qenë rezidentë në “Hotel Olimpia”, duke parkuar automjetet e tyre. Ka qenë pikërisht vendi i parkimit dhe mosmarrëveshjet për parkimin e automjeteve që në gjaknxehtësi e sipër i ka bërë këta dy të moshuar të sillen si dy adoleshentë dhe të fillojnë dhe të shahen dhe më pas të shtyhen me njëri-tjetrin në prani të familjarëve të tyre. Nga hetimet paraprake, ka rezultuar se gjatë konfliktit personat janë shtyrë me duar dhe njëri prej tyre, Kostandinos Karadhimas, është rrëzuar përtokë duke u dëmtuar në kokë. Rezultati i kësaj rënieje përtokë e të moshuarit grek ka rezultuar fatal, pasi 79-vjeçari ka pësuar hemorragji dhe ka humbur jetën rrugës për në spital. Ndonëse shqiptari me origjinë franceze është arrestuar nga policia, ai ka pretenduar se nuk ka patur asnjë qëllim për të vrarë 79-vjeçarin grek dhe se thjesht e ka shtyrë atë në inat e sipër. Në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar rreth 8 dëshmitarë okularë që ishin rezidentë në hotel, familjarët e viktimës si dhe të autorit të dyshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›