Arrestohet, iu gjetën armë dhe municione në shtëpi
ELBASAN - Forcat e policisë së Elbasanit kanë arrestuar në flagrancë 50-vjeçarin Refit Muça, lindur dhe banues në fshatin Shtëpanjë të këtij rrethi, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes”. Policia sqaron se arrestimi i tij u bë pasi nga disa informacione të marra në rrugë operative, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, iu gjend dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë automatik model 56, si dhe 1000 copë fishekë model 56, të cilat i mbante pa leje në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprën penale “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe të municionit”.
Shkëndija elektrike djeg shtëpinë
RRËSHEN - Një zjarr i papritur ka përfshirë banesën e një familjeje në qytetin e Rrëshenit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në apartamentin e Fran Pepkolajt, i cili rezultonte në listën e personave të verbër. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por flakët kanë djegur tërësisht dhomën e gatimit dhe pajisjet elektroshtëpiake. Fillimisht zjarri përshiu pajisjet, ndërsa më pas ka përfshirë të gjithë dhomën e gatimit. Brenda apartamentit kanë qenë dy fëmijët, të cilët, pasi kanë parë zjarrin, kanë dalë jashtë duke i shpëtuar rrezikut. Ndërhyrja e zjarrfikëseve ka bërë të mundur shmangien e djegies së dhomave të tjera të apartamentit, ndërsa vazhdojnë hetimet për shkakun e zjarrit. Paraprakisht mendohet se flakët kanë shpërthyer pas një shkëndije elektrike.
Gjendet një i vdekur në Kukës, mister shkaqet dhe autorët
KUKËS – Një vrasje është regjistruar ditën e djeshme në qytetin e Kukësit. Sipas të dhënave paraprake nga policia e këtij qyteti ende nuk është identifikuar viktima, por mësohet se ai është banor i fshatit Cërrojë. Forca të shumta policie janë drejtuar për në vendngjarje për të hetuar lidhur me shkaqet e kësaj ngjarjeje dhe mbi autorët e mundshëm të saj. Ende nuk ka asnjë pistë konkrete lidhur me shkaqet që mund t’i kenë shtyrë autorët të qëllonin për vdekje viktimën.
Kanos më armë 33-vjeçarin, në kërkim i riu
KORÇË - Kanos më armë në shtëpi, shpallet në kërkim autori. Policia e Korçës bën të ditur se pas një denoncimi të marrë ka shpallur në kërkim Besmir (Shaholli) Nurin, 22 vjeç, lindur dhe banues ne fshatin Goskovë, Korçë. Procedimi ndaj tij nisi pas kallëzimit të bërë nga Altin Seiti, i cili kallëzoi se dje, rreth orës 19:30, i ka vajtur te shtëpia dhe e ka kanosur me armë Besmir Nuri. Nga ana policisë u kryen veprimet e para procedurale për veprën penale të “kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje”.
9 Shkurt 2010