E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohen atentatorët, përplasja, për konkurrencë në biznes

DURRËS - Identifikohen dy personat që qëlluan me armë në drejtim të tre personave dy net më parë në qytetin e Durrësit. Sipas policisë së qytetit bregdetar, ata janë Gjovalin Paluca, 33 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Lezhës dhe Gjergji Tushaj, 46 vjeç, lindur e banues në qytetin e Korçës. Ngjarja e rëndë ndodhi dy net më parë pranë një taverne në qytetin e Durrësit, ku dy persona në fjalë qëlluan me armë në drejtim të shtetasit azerbajxhanas Turat Maturov, ndaj Avdulla Osmanit, 52 vjeç dhe Leonard Laskës 55 vjeç, duke i plagosur ata. Sipas dyshimeve paraprake rezulton se shkaku i kësaj ngjarjeje mund të ketë qenë konkurrenca në tregtinë e naftës, pasi Gjovalin Paluca ishte pronar i një pike karburanti në qytetin e Lezhës.

Hetimet
Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta policie nisën hetimet për të zbuluar autorët dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje. Vetëm disa orë pas ngjarjes, policia shpalli në kërkim Gjovalin Palucën dhe Gjergji Tushën, i cili njihet dhe ndryshe me emrin Gjok Tushaj. Policia e Durrësit është duke punuar për kapjen e autorëve dhe ka ngritur postblloqe në hyrjet dhe daljet e qytetit. Burime nga policia bëjnë të ditur se autorët e plagosjes së trefishtë kanë pasur për objektiv shtetasin azerbajxhanas, ndërkohë që dy të lënduarit e tjerë kanë qenë të rastësishëm.

Atentati
Mësohet se Tushaj ka qenë duke drekuar në lokalin “Silvano” në shoqërinë e katër personave të tjerë, mes të cilëve dhe një femër. Një tjetër pistë e ngritur, përveç asaj të konkurrencës, lidhur me tregtinë e karburanteve, është dhe ajo e konfliktit për femrën që ndodhej në lokal, por kjo gjë pritet të saktësohet nga hetimet e mëtejshme të policisë dhe grupit hetimor. Lokali ishte në pronësi të 45-vjeçarit Osmani, por që ia kishte dhënë me qira një shtetasi italian. Ndërkaq, të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Durrësit ku bëhet e ditur se të tre janë jashtë rrezikut për jetën. Plumbat i kanë kapur në gjymtyrët e poshtme dhe paraprakisht po hetohet për një plagosje paralajmëruese. Gëzhojat e plumbave janë gjetur edhe jashtë ambienteve të lokalit, ndërsa në krejt zonën përreth, që është një lagje e banuar e qytetit, njerëzit janë tmerruar nga të shtënat.
Kjo ngjarje vjen vetëm disa ditë pas vrasjes së tre personave në Durrës, Luan Currit, Andi Currit dhe Edmond Shemsit, për të cilën policia arrestoi si të dyshuar shtetasin Arian Çela.

Plagosën me thikë në gjendje të dehur, pranga tre autorëve

DURRËS – Plagosin me thikë një 24-vjeçar në gjende të dehur, arrestohen tre autorët. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku tre të rinjtë, Ergys Roshi, 21 vjeç; Klaudjo Kiptiu, 21 vjeç dhe Gerald Jakupi, 22 vjeç, në gjendje të dehur, kanë qëlluar me thikë 24-vjeçarim me inicialet J. K., i cili aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Durrësit. Burime pranë Spitalit të Durrësit bëjnë të ditur se 24-vjeçari është në gjendje kritike për jetën për shkak të plagëve të rënda që ka marrë në trup. Gjithashtu burimet policore bëjnë të ditur se Gerald Jakupi u arrestua edhe për veprën penale të moskallëzimit të krimit pasi nuk ka dhënë shpjegime për ngjarjen gjatë deklarimeve të tij në polici. Dosja në ngarkim të tre të ndaluarve i ka kaluar Prokurorisë së qytetit për hetime të mëtejshme.

9 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›