Minatorët vijojnë grevën e urisë, ende asnjë zgjidhje

Minatorët vijojnë ditën e 26-të të grevës së urisë ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje mes palëve për zgjidhjen e situatës në Bulqizë.
Një ditë me parë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës kërkoi ndërprerjen e grevës së minatorëve dhe nxjerrjen e tyre jashtë galerisë pasi rrezikohet jeta e tyre.
Gjithashtu ditën e djeshme kompania ACR bëri publik një memorandum mirëkuptimi, të cilin theksohet se plotëson të gjitha kërkesat e minatorëve grevistë, dhe ka të bëjë me të drejtat e minatorëve dhe detyrimet e kompanisë.
“ACR pajtohet për të përmbushur kërkesën për rritjen e pagës me 20% duke filluar nga data e nënshkrimit të këtij memorandum”, thuhet në draft, dhe theksohet se “ACR pajtohet për të bërë transparent të gjitha investimet, për të përmirësuar kushtet e punës, duke përfshirë sigurinë me të gjitha standartet si dhe regulloren e sigurimit teknik për sigurinë në punë, dhe ACR pajtohet gjithashtu që të sigurojë të gjithë ndihmën për sindikatën e re që do të krijohet pas nënshkrimit të këtij memorandum.”
Në dokumentin e kompanisë koncesionare ACR nënvizohet se “të gjithë punonjësit duhet të marrin përsipër që menjëherë të rinisin punën dhe të lirojnë të gjitha ambjentet e minierës.”
Ndërsa Kryetari i konfenderatës së sindikatave Kol Nikollaj deklaroi dje se memorandum ka shtesa antiligjore. Ai ka theksuar se sindikata është e gatshme për një marrëveshje e cila do të bënte të mundur plotësimin e kërkesave të minatorëve.
Ndërkohë 14 minatorë të Bulqizës vijojnë ditën e 25-të të grevës së urisë në nivelin e 14-të të minierës. Ata shprehen të vendosur se nuk do ta ndërpresin grevën e urisë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.