E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët sot në Tiranë, nisin protestën pandërprerje

TIRANE- Minatorët e Buqlizës do të vendosen sot para Ministrisë së Ekonomisë, Punëve dhe Çështjeve sociale për të nisur një protestë të pandërprerë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Kreu Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj paralajmëroi dje se minatorët nuk do të lëvizin nga Tirana derisa qeveria të gjejë një zgjidhje për situatën e krijuar e cila brenda dy vitesh i mori jetën 16 minatorëve. 

Protesta e sotme është në vazhdim të një proteste 2 javore që minatorët zhvilluan në ambientet e kompanisë ACR në Bulqizë.

Protesta është parashikuar të nisë në orën 09: 30 minuta para ministrisë së Ekonomisë, pasi kjo ministri "po tregohet totalisht e papërgjegjshme dhe e pavëmendshme, pasi ajo i ka dhënë koncensionet me licensë dhe ka të drejtën e kontrollit të investimeve, moskryerja e të cilave ka dërguar në përkeqësimin e kushteve të punës, të pagës, dhe të sigurisë." 

Nikollaj paralajmëroi gjithashtu se keqpërdorimi i shfrytëzimit teknik të minierës rrezikon vendburimet e kromit. Sipas studime me ekspertë që ka kryer konfederata e sindikatave, “keqpërdorimi, shfrytëzimi, mos kryerja e investimeve dhe keqpërdorimi I zonës D,rrezikon mbylljen e saj brenda 15- 18 muajsh”, ndërkohë që “kjo minierë është një vendburim kolloz i kromit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë. “ – tha Nikollaj. Edhe sindikata e minatoreve ka kërkuar që minatorët të qëndrojnë të bashkuar dhe të mos bien pre e tentativave përcarëse.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›