Ndryshimet në Qeveri, Marku: Koalicioni është kompakt, ndryshimet prekin vendet vakante

Deputeti i Partisë Demokratike Mark Marku shprehet se ndryshimet e Qeverisë, të paralajmëruara më herët nga kryeministri Berisha, prekin më së shumti vendet vakante të dy Ministrive, krerët e të cilave garuan në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Marku tha se partitë e koalicionit nuk kanë treguar ndryshim qëndrimi në raport me Partinë Demokratike, çka nënkupton se kalimi i emrave të rinj në dikasterin e Ministrisë së Kulturës dhe atë të Drejtësisë, do bëhet në konsensus të plotë të aleatëve.
“Ndryshimet qeveritare reflektojnë nevojat, rezultatet, problematikat. Pra, i reflektojnë të gjitha, normalisht, edhe marrëdhëniet politike të krijuara brenda mazhorancës, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh, pasi duhet theksuar se LSI, PDIU apo edhe partitë e tjera të këtij koalicioni, praktikisht nuk është se kanë treguar ndonjë ndryshim qëndrimi në raport me Partinë Demokratike”- tha deputeti Marku.
Pas dorëheqjes së ministrit Lulzim Basha nga ministër i Brendshëm dhe Ferdinand Xhaferaj nga Ministria e Kulturës, për të garuar në 8 maj, kryeministri Berisha bëri vetëm një ndryshim para zgjedhjeve, duke lëvizur Bujar Nishanin nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Brendshme.
Partitë e koalicionit kanë shprehur “Ok”-n e tyre për miratimin e ndryshimeve në qeveri, ndërsa s’priten shumë surpriza gjatë këtij formatimi të ekzekutivit. Vendet vakante në dikasterin e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Drejtësisë kanë marrë konsensusin e aleatëve, teksa kryeministri Berisha pritet të miratojë emrat e rinj për dy postet vakante.
...