EULEX merr në pyetje Fatmir Limajn

Reagon ish ministri: Veprimi i EULEX-it ka prapavijë politike
E përditshmja e Prishtinës, “Koha Ditore” shkruan sot se prokuroria e EULEX-it ka vendosur që ta marrë në pyetje ish-ministrin, Fatmir Limaj, 16 muaj pas bastisjeve që janë bërë në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, si edhe në pronat e familjarëve të tij. Deputeti aktual i Partisë Demokratike të Kosovës do të paraqitet para prokurorëve ndërkombëtarë më 20 shtator, pikërisht në kohën që e ka paralajmëruar edhe kryeprokurorja në largim e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Isabelle Arnal. Pranimin e ftesës që i është bërë Limajt për t’u paraqitur në prokurori e ka konfirmuar të shtunën për “Kohën Ditore” avokati mbrojtës i tij, Tomë Gashi. Ai i ka shprehur haptas dyshimet se ky veprim i EULEX-it ka prapavijë politike.
“Çfarë arsyeje ka misioni i EULEX-it ta thërrasë dikë në pyetje pas 16 muajve që ka bërë spektakël. Ligji ia lejon, por nuk është normale”, ka deklaruar Gashi. Për bindjen e tij, kjo gjë është duke u bërë për të vetmin qëllim që të kërkohet nga Gjykata Supreme zgjatje të hetimeve edhe për së paku gjashtë muaj të tjerë, pasi brenda kësaj periudhe nuk është gjetur asnjë dëshmi që do ta bënte klientin e tij, fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Ata kanë mundur ta marrin në pyetje zotin Limaj qysh në ditën e parë, ose edhe pa filluar ende hetimet, e jo të prisnin deri në këtë kohë”- ka thënë Gashi.
Në fakt, paralajmërimet për kërkim të kohës shtesë për hetime i ka bërë vetë Arnal, në fund të qershorit.