E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatori i vdekur punonte për të ndihmuar shokun

Gjendet i pajetë trupi i minatorit të bllokuar në galerinë 6/2, në zonën e parë të minierës së Bulqizës. Ngjarja e rëndë ndodhur në mesditën e ditës së diel, ku nga shembja e një furneli mbetën të bllokuar në galeri dy minatorë, ku njëri prej tyre Astrit Kuka, 40 vjeç, mundi të dalë jashtë saj dhe tjetri Arjan Duva, 38 vjeç mbeti i bllokuar brenda, ka marrë fund në ditën e djeshme kur është gjetur trupi i pajetë i minatorit Duva. Pas rreth 24 orë kërkimesh nga grupi i Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe atij të firmës koncensionare ACR, është bërë e mundur që rreth orës 10:30 të ditës së djeshme të gjendet i bllokuar në furnel së bashku me mineralin e kromit trupi i copëtuar i 38-vjeçarit Arjan Duva. Ekspertiza mjekoligjore ka konstatuar dëmtime të rënda në kokë dhe trup, si dhe ka rezultuar me një gjymtyrë të këputur. Kërkimet për gjetjen e tij kanë vazhduar pa ndërprerje gjatë gjithë natës së të dielës, ku në ndihmë kanë ardhur edhe minatorë të turit të tretë të minierës. Nga burime të sigurta merret vesh se për gjetjen e Duvës janë përdorur edhe shpërthime minash për të zhbllokuar furnelin ku ai kishte mbetur i bllokuar. Fillimisht tregojnë ata që punuan për gjetjen e minatorit, ndeshëm në xhupin e tij, gjë që bëri të mundur lokalizimin e vendndodhjes së viktimës. Shoku i tij, Astrit Kuka, i cili më shumë se i plagosur ka pësuar një traumë psikike nga humbja e Arjanit, tregon se kishin vetëm dy ditë që së bashku po punonin privatisht në këtë galeri edhe pse ajo ishte e bllokuar për të nxjerrë krom. "Kisha 200 mijë lekë borxhe me listat e dyqaneve të ushqimeve, kur Arjani më propozoi të punoja me të për shlyerjen e tyre. Punën e nisëm të shtunën. Të dielën në mëngjes, së bashku me Arjanin, vëllain dhe nënën e tij, pimë një kafe në një nga lokalet e qytetit të Bulqizës dhe pasi u ndamë prej tyre u nisëm për punë drejt galerisë aty rreth orës 08:00. Në ndarje, vijon të tregojë ai, nëna e Arjanit na kapi për duarsh dhe na u lut që të mos shkonim në punë, pasi ishte ditë shiu. Por, ne vijuam në tonën. Unë dhe Arjani jemi nga i njëjti fshat, Fushë-Bulqiza. Ai kishte vetëm dy javë që kishte ardhur nga Greqia, ku punonte prej disa vitesh me letra të rregullta. Kur mori vesh se unë isha pushuar nga puna në minierë në Vitin e Ri më tha: Mos u mërzit, do punojmë bashkë në galeri dhe për një javë do kesh mundësi të shlyesh borxhet. Në fillim të shkurtit atij i mbaronte leja dhe do kthehej sërish në Greqi. Por nuk qe e thënë".

Ditën e dytë të punës, galeria e bllokuar e minierës mori jetën. Ndërkohë emri i firmës për të cilën punonin viktima Arjan Duva dhe shoku i tij i plagosur, Astrit Kuka, ende nuk bëhet i ditur. Burime nga policia paraprakisht bëjnë me dije se po punohet në këtë drejtim, por deri më tani asgjë e zbardhur se cila ishte firma që kryente punimet në galerinë 6/2 të zonës së parë. Gjithashtu, edhe pse jo zyrtarisht merret vesh se Astrit Kuka, që i shpëtoi shembjes së galerisë, ka pohuar para grupit hetimor të policisë se ata po punonin në galerinë e mbyllur, krejt privatisht. Gjithsesi, situata e punës së jashtëligjshme në galeritë e kromit në minierën e Bulqizës sa vjen dhe bëhet më alarmante, pasi po humbin jetë njerëzore në përpjekje për të siguruar bukën e gojës dhe askush nuk mban përgjegjësi për ndalimin e kësaj pune. Kështu, si gjithmonë në raste të tilla, 38-vjeçari Arjan Duva, që humbi jetën të dielën në një galeri të ndaluar për punë, duke lënë dy fëmijë jetimë do ta marrë edhe fajin me vete.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›