Shurdhëria, 2 herë më e lartë se në BE
Për 1000 lindje 3-4 fëmijë vijnë në jetë më shurdhësi të thellë. Numri i rasteve është dyfish më i lartë, krahasuar me vendet e zhvilluara, ku ka 1-2 fëmijë me probleme me dëgjimin. Të dhënat janë grumbulluar nga depistimi, që mjekët otorinolaringologë të Spitalit “Nënë Tereza” kanë kryer në popullatë. Sipas tyre, duke iu referuar shkaktarëve që mund të çojnë në dëmtim të pjesshëm ose të plotë të dëgjimit, ky problem mund të parandalohet me masa konkrete. Kështu, imunizimi i fëmijëve ndaj sëmundjeve, si rubeola, fruthi, shytat, imunizimi i grave për rubeolën gjatë shtatzënisë, testimi për sifilizin dhe infeksione të tjera gjatë barrës, janë disa prej ekzaminimeve parandaluese. Veç tyre duhet pasur kujdes me mënjanimin e zhurmave të forta dhe zbulimin e hershëm të problemeve me dëgjimin. Sidomos te fëmijët e vegjël, kapja në kohë e problemit dhe kryerja e ndërhyrjeve të caktuara për t’u rikthyer dëgjimin, do të shmangte mangësitë në të folur në zhvillim dhe edukimin shkollor. Ndërhyrja kirurgjikale (impianti koklear)është e vetmja mundësi për t’iu rikthyer pacientëve dëgjimin. Deri tani ky operacion ka pasur sukses 100%, por kostoja e tij është shumë e lartë, qoftë për pacientin, qoftë për shtetin. Nga studimi i kryer në popullatë, sipas mjekëve, rezultoi se meshkujt me probleme me shurdhësinë janë pothuaj dyfishi i femrave. Në total në Institutin e Fëmijëve që nuk dëgjojnë janë të regjistruar rreth 139 nxënës, nga mosha 6-14 vjeç. Rreth 79% të rasteve, atyre u është dëmtuar dëgjimi pas lindjes, për shkak të temperaturës së lartë apo sëmundjeve të tjera. Meningjiti është shkaktar për grupin e analizuar në 13% të rasteve, ndërsa epilepsia për 8% të rasteve. Lindja premtuare, situata të tilla që gjatë lindjes çojnë në mungesë oksigjeni, kalimi i rubeolës, sifilizit apo sëmundjeve të tjera infektive gjatë shtatzënisë, janë disa nga shkaktarët kryesorë të shurdhërisë. Hepatiti, i cili mund të dëmtojë nervin e dëgjimit te një fëmijë i sapolindur.
Shkaqet e shurdhërisë
- Lindja premtuare
- Situata të tilla që gjatë lindjes çojnë në mungesë oksigjeni.
- Kalimi i rubeolës, sifilizit apo sëmundjeve të tjera infektive gjatë shtatzënisë.
- Përdorimi i otoksikëve (një grup prej 130 medikamentesh (gentamicina psh) që mund të shkaktojnë dëmtim të brendshëm të veshit nëse nuk përdoren siç duhet gjatë shtatzënisë.
- Hepatiti, i cili mund të dëmtojë nervin e dëgjimit te një fëmijë i sapolindur.