Kriza në QSU,brenda janarit përfundon furnizimi me ilaçe
ZIRINA LLAMBRO
Brenda janarit Spitali “Nënë Tereza” nuk do të ketë më mungesa ilaçesh e analizash. Këtë garanci japin drejtuesit e tij. Burime zyrtare nga drejtoria bënë me dije dje se tenderët janë mbyllur dhe pritet të nisë furnizimi nga firmat përkatëse. Gjithçka brenda afateve të vendosura, të cilat shkojnë deri në 30 ditë. “Kanë përfunduar gjithashtu edhe procedurat e prokurimit për reagentët e laboratorëve, çka do të thotë se shumë shpejt do të ofrohet e gjithë gama e analizave”, sqaruan burimet. Pas gati dy vitesh krize të thellë, më në fund duket se QSU e ka nisur mbarë punën. Aktualisht, pjesa më e madhe e pavijoneve vijojnë t’i kenë bosh farmacitë, por më e keqja duket se ka kaluar. Si asnjëherë më parë, të sëmurët kanë blerë me paratë e tyre të gjitha ilaçet, ndërkohë që shërbimin duhet ta merrnin falas. Përballë kësaj situate, përgjegjësia nuk ju la askujt. Ajo çka u pranua hapur ishte kriza e thellë, e cila rëndoi jo pak pacientët. Për këtë vit, veç furnizimit me ilaçe, janë parashikuar të blihen edhe një sërë aparaturash të reja. Ato kanë qenë në plan që prej dy vitesh por fondet disa milionë euro në fund të vitit janë djegur pa u bërë asnjë blerje. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, rreth 1/3 e pajisjeve mjekësore në QSU janë të amortizuara tej mase ose jashtë funksionit. Këtu bëjnë pjesë edhe aparatura mjaft të rëndësishme, si ato të radioterapisë për të sëmurët me kancer, apo për të sëmurët me veshka. Kobaldi i përket një teknologjie të 30 viteve më parë, ndërsa kyriterapia(rrezatim i përqendruar për tumoret e qafës së mitrës), nuk kryhet fare. Paradoksal mbetet fakti që kjo lloj terapie u ofrohej pacientëve edhe gjatë viteve të diktaturës, ndërsa prej 9 vitesh Onkologjiku nuk ka pajisjet. Për rrjedhojë, gratë me tumore ose duhet të kurohen jashtë vendit ose i pret fundi. Një tjetër aparaturë që i mungon spitalit është edhe ajo e shkrirjes së gurëve në veshka. Prej 4 vitesh të sëmurëve u duhet ose të paguajnë 55 mijë lekë te privati, ose të futen në operacion. Pos tyre mjaft të vjetra janë koronarografia, skaneri, ekot e rezonanca. Për të zgjidhur këto mangësi Drejtoria e QSU dhe Ministria e Shëndetësisë premtojnë blerje të reja. “Parashikohet vendosja e aparaturave të reja, kryesisht për spitalin e ri të urgjencave, i cili do të vihet në punë në gjysmën e dytë të vitit 2009”, sqarojnë burime zyrtare nga drejtoria. Ndërkohë, pritet të përfundojnë punimet në një sërë objektesh të tjera spitalore, ku bëjnë pjesë rikonstruksionet e godinave spitalore. Sakaq, plani për privatizimin e shërbimit të urgjencës, i cili u premtua të realizohej që vitin e kaluar, ka mbetur vetëm në letër. Ndonëse më të rëndësishmet, urgjencat, ofrojnë kushte përtokë dhe mezi përballojnë fluksin e të sëmurëve.
Tenderët e spitalit “Nënë Tereza”
1-Citostatike, fondi limit 47 214 000 lekë
2-Materiale mjekësore për Kirurgjinë Vaskulare, fondi limit 5 306 780 lekë
3-Kontraste, fondi limit 14 000 000 lekë
4- Medikamente për Kirurgjinë Vaskulare, 5 632 000 lekë
5-Kite dhe reagentë, fondi limit 60 000 000 lekë
6-Materiale për kardiokirurgjinë, 6 289 000 lekë
7 –Materiale mjekësore për neurokirurgjinë, fondi limit 29 999 969 lekë
8-Sigurimi normalizimi dhe kontrolli i lëvizjes së pagesave të automjeteve të personelit që hyjnë në QSU, fondi limit 2 083 333 lekë
9-Blerje aparaturash elektromjekësore për shërbimin e Neurokirurgjisë në QSU, fondi limit 21 666 667 lekë
10-Blerje pajisjesh hotelerie për spitalin, pediatria fondi limit 5 600 000 lekë