E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miniera e Pacit, vdesin 2 të rinj, një plagoset

10/11/2011  Tropojë, ngjarja e rënë pas shembjes së një masivi dherash e gurësh

TROPOJË- Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e djeshme në Tropojë. Dy persona kanë vdekur dhe një tjetër është plagosur në minierën e fshatit Pac. Shkak i vdekjes së dy të rinjve ka qenë shembja e një pjesë të minierës duke zënë poshtë punëtorët Erjon Geci dhe Dritan Neza. Trupat janë transportuar për në spitalin e Bajram Currit, por sipas mjekëve dy të rinjtë kanë mbërritur të vdekur. Ndërkohë një shtetas tjetër është plagosur rëndë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën në këtë spital.

Ngjarja

Dy të rinjtë, Erjon Geci, 23 vjeç dhe Dritan Neza, 20 vjeç kanë qenë duke gërmuar për nxjerrjen e mineraleve, gjë e cila ka sjellë edhe shembjen e një masivi me dhe e gur, duke iu shkaktuar atyre vdekjen e menjëhershme. Në minierë, në kohën e rënies së masivit me dhe e gurë, ka mbetur i plagosur edhe tjetër person, shok me viktimat. Emri i tij nuk bëhet i ditur prej policisë, por mësohet se ai është transportuar menjëherë drejt spitalit të Tropojës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites dhe të pranishëm kanë qenë dhe punonjës të tjerë. Kanë qenë minatorët e tjerë që kanë parë ngjarjen dhe kanë nxjerrë trupat nga galeritë, ndërsa njoftuan dhe policinë. Vdekja e minatorëve si pasojë e shembjes së galerive është rasti i dytë brenda pak kohësh, pas ngjarjes së Bulqizës ku një minator vdiq dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë. Këto aksidente tragjike janë zile e fortë për autoritetet kompetente për të siguruar jetën e minatorëve, të cilët ndodhën nën kërcënim të vazhdueshëm për shkak të mossigurisë në punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›