Vdes marinari italian

VLORË - Një marinar italian që punonte në një anije që tregton fruta deti në Shqipëri, humbi dje jetën pas konsumimit të një sasie të madhe alkooli, ndërsa shoku i tij shpëtoi, për fat. Viktima Francesco Voglia dhe Emiliano Giuliano, përkatësisht 35 dhe 27 vjeç, u paraqitën në mëngjesin e djeshëm në spitalin e Vlorës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Dy marinarët nga qyteti i Barit në Itali mësohet të kenë konsumuar një sasi të madhe pijesh alkoolike, teksa festonin “peshkimin e mbarë” përgjatë pesë ditëve punë në brigjet e Adriatikut. Pasi zbarkuan në Triport, mbrëmjen e së shtunës, marinarët dolën për të festuar, pasi edhe “gjahu” ishte i majmë. Ata shkuan në një prej restoranteve të zonës pranë portit, ku edhe porositën peshk të shoqëruar me verë. I mbijetuari 27-vjeçar, Emiliano Giuliano, i cili ndodhet aktualisht në reanimacionin e spitalit, jashtë rrezikut për jetën, nuk e mbante mend sasinë e konsumuar të alkoolit, por bëri me dije se pas darkës, dy të rinjtë iu drejtuan hotelit, ku porositën në dhomë birra dhe uiski. Sipas dëshmisë të tij, i cili ende nuk e di që shoku ka humbur jetën, Voglia hyri në dush, por papritur u ndie keq dhe humbi ndjenjat. Sipas mjekëve, 35-vjeçari vdiq për shkak të intoksikimit nga sasia e madhe e alkoolit të konsumuar. Megjithatë, në spitalin rajonal të Vlorës është e pamundur të kryhet indeksi i alkoolit, që tregon sesa pije është konsumuar, për shkak se mungon infrastruktura. Sipas policisë, aktualisht është marrë në pyetje i mbijetuari dhe pjesa tjetër e ekuipazhit, ndërsa po hetohet për ngjarjen tragjike të dy marinarëve që konsumuan ushqim dhe pije në të njëjtin restorant. Paralelisht me këtë priten rezultatet e Laboratorit të Kriminalistikës në Tiranë, për të saktësuar nëse viktima kishte në gjak substanca të tjera që mund të kenë ndikuar në reaksionin me pijet alkoolike