Stina e verës boshatis bibliotekat në Tiranë

Ndonëse ditët e nxehta të verës i ofrojnë të rinjve më tepër kohë të lirë, vetëm pak prej tyre vendosin të kalojnë pak orë në bibliotekë. Sipas një vëzhgimi në Bibliotekën Kombëtare, sallat e saj e të leximit janë krejtësisht të boshatisura. Rikonstruktimi i ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare pak muaj më parë nuk ka ndikuar aspak në rritjen e lexuesve. Të rinjtë kryeqytetas, por jo vetëm, preferojnë më tepër të lexojnë në kushtet e shtëpisë apo qoftë të marrin dhe ndonjë libër me vete gjatë pushimeve sesa të frekuentojnë mjediset e bibliotekave. Bibliotekat shqiptare duket se janë ‘braktisur’ në këtë periudhë pasi për të rinjtë stina e verës ofron alternativa të shumta argëtimi. Sipas vëzhgimit rezulton se numri i lexuesve gjatë kësaj stine ka rënë ndjeshëm dhe kjo si pasojë e mbylljes së sezonit shkollor që ofron gjatë vitit pjesën më të madhe të lexuesve. Vetë stina e verës, me alternativat e saj për pushime, i ka larguar lexuesit e përhershëm të librave nga ambientet e bibliotekës. Sipas një punonjëse të bobliotekës, në këtë periudhë të vitit, të vetmit vizitues të këtyre sallave janë disa prej të rinjve, të cilët janë para etheve të konkurseve në shkollat e larta apo të mesme. Ndërsa të tjerët, nxënës dhe studentë, presin fillimin e vitit shkollor që me detyrimet mësimore i afron më pranë kulteve të librave dhe leximit. Por dhe për ata studiues, apo frekuentues të rregullt të bibliotekës, të moshave të ndryshme, stina e verës nuk favorizon frekuentimin e bibliotekave.
...