Topi, investoi 3.5 milionë për shtëpinë e tij
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka shpenzuar më shumë gjatë vitit të shkuar se ka përfituar. Në deklaratën e pasurisë së kreut të shtetit shqiptar, bëhet e ditur se në vitin 2009, Topi ka investuar me një shifër prej 3.500.000 lekësh, për të ndërtuar pjesë të banesës së tij që e ka ndërtuar në zonën e Shkozës. Në deklaratën e pasurisë, kreu i shtetit, shpjegon në mënyrë të qartë se të ardhurat e derdhura për këtë ndërtim, po kompletojnë ndërtimin e një shtëpie të tij të re, e cila është e përbërë nga dy kate dhe një tjetër i nëndheshëm. Por, duket se ky investim ka sjellë edhe pakësimin e parave cash që ai disponon dhe për këtë arsye, për vitin 2009, Presidenti i Republikës deklaron se ka harxhuar 1.000.000 lekë. Nga ana tjetër, si veprime financiare për vitin e kaluar Presidenti ka shënuar edhe krijimin e një llogarie rrjedhëse në bankën “Credins”, me një vlerë prej 45.000 lekë për vajzën e tij, Nada Topi. Po kështu, Topi thekson se ai ka përfituar 2.483.564 lekë vitin e kaluar, si rezultat i pagave dhe shpërblimeve që ka marrë si President i Republikës. Nga ana tjetër, kreu i shtetit, në deklaratën e tij të pasurisë të dorëzuar në datë 25 mars të këtij viti, ka qenë i përpiktë në raportimin edhe të të ardhurave vjetore të bashkëshortes së tij, Teuta Topi, në funksionin e saj si përgjegjëse e sektorit të politikave të zhvillimit rural në Ministrinë e Bujqësisë. Po kështu, Presidenti ka deklaruar edhe të ardhurat që familja e tij përfiton nga paga e vajzës, Nada Topi, si një punonjëse e Bankës së Shqipërisë. Për sa u përket kredive, Presidenti Topi thekson se ai ka ende 1.000.000 lekë të pashlyera, si pasojë e një kredie për shtëpinë të marrë në Enti Kombëtar i Banesave. Gjithashtu, si shpenzime të bëra gjatë vitit 2009, kreu i shtetit shqiptar, përmend edhe pagesën e studimeve për të bijën në një universitet privat në Tiranë me një shumë prej 2.000 eurosh.
#