Kohë puthjesh për Ylljetin
Përkthyesi Amik Kasoruho e vlerësoi si një nga tregimtarët më interesantë të letërsisë së re shqipe, “por... pak dembel” në kuptimin që duhet të shkruajë më shpesh, sepse “i mohon, i mungon letërsisë tregimtare shqiptare një autor mjaft interesant; një autor që ka zënë një vend kaq të veçantë, me tipare që nuk i ka asnjë autor tjetër”. Kështu u shpreh dje Kasoruho gjatë promovimit të librit të ri me tregime të autorit Ylljet Aliçka. Edhe ky i fundit, teksa ka folur për “kohë puthjesh”, nuk e ka mohuar faktin që shkruan rrallë, veçse shkruan sepse i pëlqen ta lexojnë, ndaj kujdeset për temat që sjell dhe personazhet që i ofron lexuesit. Tetë tregime, shumica prej të cilave me nota biografike, sjellin në vëmendje të shkuarën dhe të tashmen e shkrimtarit, kujtime fëmijërie dhe mbresa të rrituri.
Në këtë vëllim të ri, ashtu sikundër edhe e thatë, keni sjellë për lexuesin pak tregime, ndërsa keni sjellë edhe një përzierje kohësh, diktatura, tranzicioni, kujtimet e fëmijërisë...
Jam përpjekur të jem sa më përzgjedhës në tregimet e mia. Sipas mendimit tim, jam munduar të nxjerr pak tregime. Më kujtohet një thënie e Hemingueit për çehovin, ku thoshte që pas vdekjes mbesin pak tregime në mendjen e njerëzve. Për të justifikuar veten, edhe kjo më shtyu të zgjedh pak tregime për këtë vëllim. U përpoqa të sjell atë që më pëlqen mua fillimisht, me shpresën se kjo do t’i pëlqejë edhe lexuesit. Personalisht, edhe pse shkruaj rrallë, shkruaj sepse më pëlqen që të më lexojnë. Sa u takon epokave, unë nuk nisem më tepër nga ato, sesa nga fati i individit, atij të përditshmit, të zakonshmit dhe të jashtëzakonshmit.
E megjithatë njeriu i zakonshëm, jo i jashtëzakonshmi, zë më shumë vend në krijimtarinë tuaj...
Njohja e një realiteti të caktuar, qoftë në periudhën e diktaturës, qoftë aktualisht, pra qoftë zhgënjimet e diktaturës, qoftë ato të kohës së sotme, njihen më mirë në përditshmërinë e saj, në rutinën e njeriut të zakonshëm në atë adaptimin gradual të nënshtrimit, sesa në aktet heroike ose epike. Dramatizimi i një epoke bëhet më mirë në përditshmërinë e jetës së individit. Jam gjithmonë më i pasionuar pas problemeve të individit, sesa pas problemeve kolektive.
Vini me një libër i cili numerikisht përmban vetëm tetë tregime. Një libër jo shumë voluminoz që, siç thatë edhe ju, mund të lexohet në një pasdite. Përse kjo zgjedhje?
Po vij me një libër të shkurtër me tregime kësaj here, sepse bëra një sprovë në roman dhe nuk e ndjeva veten të sigurt artistikisht. Ndaj iu ktheva tregimit, sepse e ndiej veten të sigurt, më komod dhe më të bindur. është nga gjinitë që ndoshta nuk është shumë e suksesshme, por aty ndihem vërtet në lëkurën time. Duke parë që më eci mirë me tre librat e parë, kjo më ngarkoi me një farë përgjegjësie për t’u matur kur dal me tregime. Kjo është edhe një nga arsyet që ka dalë me pak tregime ky vëllim. Kisha më shumë frikë se mos shkruaja atë që s’duhet, sesa atë që duhet dhe kjo vetëcensurë më bëri që të kufizohem. Për më tepër mendoj se i ndërtuar në të tillë mënyrë, me pak tregime, ky libër mund të shkojë më lehtësisht te publiku. Libri po përgatitet që në muajin shtator të dalë edhe në gjuhën franceze.
Përse e keni titulluar këtë vëllim “Koha e puthjes”?
Titulli duket sikur është erotik ose joshës, po më mirë të themi që dështimi i puthjes ka qenë shtysë për këtë tregim. Në ato vite ishte në modë një film i ndaluar nën moshën 16 vjeç, por që ne e shihnim vjedhurazi. Aty pamë se si djali puthte me zor vajzën. Menjëherë pas kësaj, i forti i mëhallës hapi lojën e puthjeve me zor. Secilit prej nesh i duhej që të puthte nga një vajzë. Mua nuk ma mbante, sepse kisha frikë nga reagimi i babait të vajzës. Pasi mbeta i fundit, më në fund vendosa që jo për hir të puthjes, sepse kënaqësinë e saj nuk e njihja, por që të mos dilja frikacaku i lagjes. Më zgjodhën një vajzë te sheshi “Stalin”. Nga emocioni unë vrapova drejt saj dhe nga vrulli u pengova te një bordurë e i rashë me kokë vajzës, e cila ra në tokë. U bë një alarm i madh. Ndërkohë, shokët e mi bërtisnin: Puthe. Dhe unë e putha. Kjo ishte loja jonë e puthjeve.
Ka në këto tregime një lloj kalimi nga tragjedia te komedia, që në fakt vihet re edhe në krijimet tuaja të mëparshme...
Unë u ruhem krijimeve të ndjeshme ose seriozitetit të temës së trajtuar rëndë ose me solemnitet. Edhe në këtë vëllim kam vetëm një tregim të tillë, jo se është shumë i dhimbshëm, por është shumë i rëndë si ngjarje, pastaj të tjerët jam përpjekur t’i sjell me humor.
Një nga tregimet rrëfen edhe për krijimin e bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha dhe një grupi skulptorësh që punojnë në të. Sa elementë realë ka ky tregim?
Shumica prej tyre janë realë. Në tregim flitet për një grup skulptorësh, të cilët ishin të ndarë në grupe, kush merrej me skalitjen e kokës, të tjerë me bustin e të tjerë me pjesën e poshtme të trupit. Mes tyre lindën edhe grindje dhe mundoheshin t’i prishnin punë njëri-tjetrit. Kam takuar Sali Shijakun dhe ai më tregoi se si u ndërtua busti e në këtë mënyrë unë krijova këtë tregim të titulluar “Busti”.
Po për sa i përket tregimit mbi Hrushovin?
Edhe kjo histori ka elementë realë. Hrushovi do të kalonte në një fshat të Fierit, ku kishte shumë të internuar. Ata duhej të mbylleshin në momentin që Hrushovi do të kalonte aty dhe duke qenë se nëpër magazina nuk kishte vend, burgu ishte larg, atëherë operativi i zonës i mbylli ata te koçekët e misrit që ishin bosh. Ata kanë qëndruar për 24 orë aty. Në këtë pikë fillon edhe trillimi me debatet mes të internuarve mes njëri-tjetrit.
Ku ndahet trillimi nga e vërteta?
Unë këtë pyetje ia bëj shpesh vetes. Nganjëherë shkruaj dhe kam frikë se i vë vetes elementë të trilluar dhe ndonjëherë ndodh edhe t’i besosh ata, deri në këtë gradë mund të ndodhë. Në përgjithësi pretendoj se shkruaj atë që është reale, por e parë me sytë e mi. Përpiqem të qëmtoj momente që mua më joshin, por që janë reale, për t’i bashkuar pastaj në mënyrën time, këtu hyn trillimi. Por në përgjithësi tregimet e mia janë reale. Shumica e tregimeve janë me nota autobiografike. Unë ndihem më tepër i sigurt kur shkruaj atë që kam jetuar dhe kam gjithmonë kënaqësinë e humorit në tregimet e mia.
I jeni kthyer tregimit për të shmangur romanin, ndërsa thoni se keni një tjetër roman në duar.
Po, e kam një roman në dorë. Më pëlqeu një ngjarje, ndaj nisa të merrem me të. Kam bërë planet e mia dhe kam avancuar, por më tepër kënaqësinë time e ndiej te tregimi, aty ndihem më i qetë.
#