Ministrat e jashtëm të BE-së rekomandojnë statusin për Serbinë

Bashkimi Europian ka shpërblyer Kosovën dhe Serbinë pas marrëveshjes së arritur në Bruksel për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale. Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë propozuar dhënien e statusit për Serbinë, por sipas tyre i takon Këshillit të Evropës të marrë vendimin. Në një konferencë për mediat ministrat e jashtëm theksuan se tashmë kemi të bëjmë me rregulla të reja lidhur me vendet kandidate, për të cilat duhet të punohet dhe duhet të zbatohen.
"Sot është një ditë e mirë për Serbinë dhe Kosovën, vendimi është pozitiv për dhënien e statusit për Serbinë si dhe për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën. Ky zhvillim ishte një hap i madh përpara në rajon dhe meritojnë të merren në konsideratë" tha komisioneri për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle.
Ministrat e BE-së theksuan se marrëveshja e fundit në bisedimet mes Prishtinës edhe Beogradit ishte një arritje e madhe për të dyja vendet. Sipas komisionerit për Zgjerimi duhet kërkuar më shumë progres në punën e Kosovës, në mënyrë që edhe Kosova të jetë në axhendën evropiane. Por disa nga shtetet qe nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kushtëzojnë mbështetjen e tyre për marrëveshjen e MSA, që ato të mos kenë nevojë ta njohin pavarësinë dhe që Kosova në raportet me BE-në të mos konsiderohet si shtet i pavarur. Spanja mësohet te këtë thënë, se nuk do ta njohë shtetin e Kosovës për shkaqe ligjore,por nuk do të pengojë afrimin e Kosovës me BE-në, me kusht që Kosova të mos trajtohet si shtet i pavarur. Ndërkohë vendimi përfundimtar për statusin kandidat për Serbinë do të jepet në mbledhjen e 1 marsit të liderëve të BE-së.
Serbia në muajt e fundit të 2011-s humbi mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat për shkak të Kosovës. Vendet e Bashkimit Europian kushtëzuan Beogradin në arritjen e një marrëveshje me Prishtinën, që do të normalizonte marrëdhëniet në rajon e do të mundësonte njëkohësisht edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kjo kërkesë e Brukselit u përmbush nga Serbia pak ditë më parë me arritjen e një marrëveshje me Kosovën, për përfaqësimin e kësaj të fundit në nismat rajonale me fusnotë dhe sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.