Ministrat e mbrojtjes së NATO-s mblidhen sot në Stamboll
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fog Rasmusen, i cili foli në Bruksel, tha se mbledhja jozyrtare e ministrave të mbrojtjes nuk do të jetë një konferencë e angazhimit ushtarak. Ai tha se nga anëtarët e aleancës do të kërkohet plotësimi i mangësive të misionit trajnues në Afganistan. Burimet e afërta me NATO-n njoftojnë se pritet që në mbledhje të shqyrtohet edhe caktimi i një përfaqësuesi civil të aleancës në Afganistan. Në agjendën e takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Stamboll janë edhe emërimet në postet e dy zëvendësve të Sekretarit të Përgjithshëm, që janë të zbrazëta prej disa kohësh. Në kuliset e Brukselit flitet që njëri prej zëvendësve të Sekretarit të Përgjithshëm do të mund të jetë një diplomat turk. Kosova dhe përgatitja e një koncepti të ri strategjik të aleancës si dhe furnizimi i përbashkët me disa armë nga pikëpamja e efikasitetit, është një nga temat që do të diskutohen.