Ministrat e rinj, dorëzojnë mandatin e deputetit pas votëbesimit të qeverisë në Parlament
Proçedura për dorëzimin e mandatit të deputetit nga ana e Ministrave, do të nisë vetëm pasi të jetë votëbesuar qeveria e re në Parlament. Në mënyrë individuale, të 16 ministrat e PS dhe LSI do t’i drejtohen individualisht me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për tu dorëhequr si deputete dhe më tej Parlamenti do të njoftojë KQZ-në për vakancën e krijuar. Por, organi më i lartë zgjdhor e ka të pamundur të mandatojë 16 deputetët e rinj, per shkak te mungeses se nuk ka kuorumin prej 5 votash “pro” të anëtarëve të KQZ-së, duke detyruar sërish mazhorancën të çojë çështjen e mandateve në Kolegjin Zgjedhor. Ndërkaq, mësohet se ministrat do të heqin dorë nga mandatet në periudha të ndryshme për të shmangur rrezikun e humbjes së shumicës parlamentare. Bëhet fjalë për 16 ministra, që nëse lënë në të njëjtën ditë mandatin, do ta çonte mazhorancën në 67 mandate dhe në rast se e djathta do të braktiste seancën, atëherë do të mungonte kuorumi i nevojshëm prej 71 deputetësh për të zhvilluar normalisht seancën plenare.
Ndërsa dihet se cilët janë Ministrat që do të dorëzojnë mandatet, nuk ka ende një listë të saktë të atyre që do të vijnë në Parlament. Pasi Kodi Zgjedhor në nenin 164, pika 2 e tij, këtë herë parashikon që nëse mandatin e dorëzon një grua, atëherë vendin e saj duhet ta zërë po një grua.
Dhe kjo bën që në Parlament vendin e një gruaje të mos e zërë automatikisht pasardhësi në listë, por gruaja e radhës, që mund të jetë edhe disa numra më poshtë. Madje sipas Kodit, në nenin 174 të tij, parashikohet që në qarqet ku partitë nuk kanë respektuar ligjin për 30% gra në lista, edhe nëse ikën një burrë nga Parlamenti, ai duhet zëvendësuar nga një grua që mund të jetë edhe e fundit në listë.