E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat që lënë karriget drejtuese në Partinë Demokratike



Eljona Ballhysa
Përveç kryeministrit, i cili mban dhe postin e kryetarit të Partisë Demokratike, janë dy ministra, një zëvendësministër, kryetarja e Kuvendit dhe kryetari i Grupit Parlamentar që, përveç posteve në institucionet shtetërore, mbajnë poste drejtuese në PD. Por, me caktimin e datës së mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së, janë shtuar zërat brenda Kryesisë së partisë, që mbështesin ndryshimin e Statutit të PD-së dhe ndarjen e posteve ministrore nga ato partiaket. Në Statutin e partisë nuk është e parashikuar në asnjë dispozitë se postet ministrore janë të njehsuara me postet drejtuese në parti. Madje edhe në pikën që parashikon funksionin dhe kompetencat e kryetarit të Partisë nuk është parashikuar njehsimi i këtij posti me atë të kryeministrit të vendit. Ndërkaq, pas Fatos Bejës, dje ka reaguar një tjetër anëtar i Kryesisë së PD-së, Aldo Bumçi. Kryetari i degës së PD-së së Tiranës mbështet idenë e ndarjes së posteve. Sipas tij, duhet të krijohet një traditë në PD, që personat të cilët marrin portofola ministrorë, duhet të japin dorëheqjen nga postet drejtuese në parti, në mënyrë që partia të jetë aktive në çdo kohë, edhe kur qeveris vendin, edhe kur është në opozitë.
Largimet
Në rast se anëtarët e Partisë Demokratike vendosin në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ndryshimin e Statutit të Partisë duke votuar pro këtij ndryshimi, atëherë pritet largimi nga PD-ja i sekretarit të Përgjithshëm, Ridvan Bode, i cili mban dhe postin e ministrit të Financave; i Ferdinand Xhaferrit, sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në PD dhe njëkohësisht ministër i Kulturës; si dhe largimi i Ferdinand Ponit, sekretar për Pushtetin Lokal në PD dhe zëvendësministër i Brendshëm. Ndërkaq, ende mbetet në pikëpyetje në rast se do të kërkohet largimi i dy nënkryetarëve, Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi. Të dy këta drejtues të lartë të PD-së, megjithëse nuk kanë poste ministrore, kanë poste të tjera të rëndësishme institucionale. Topalli është kryetare e Kuvendit, ndërsa Patozi drejton Grupin Parlamentar të PD-së. Megjithatë, të dy kanë treguar se janë më shumë të angazhuar me punët e partisë, sesa ministrat. Po kështu, deputetët e PD-së që kanë ngritur zërin dhe kanë mbështetur ndarjen e posteve ministrore nga ato partiake, nuk kanë sqaruar asnjëherë se ç’do të ndodhë me postin e kryetarit të partisë dhe kryeministrit.
Statuti
Statuti i Partisë Demokratike, në Nenin 46 të tij, ka parashikuar funksionin dhe kompetencat e kryetarit të partisë, por në asnjë rresht nuk është shkruar se ky post është i njehsuar me atë të kryeministrit. “Kryetari kryeson organet qendrore të partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha aktet e jetës civile. Ai emëron zëdhënësin e shtypit të partisë, si dhe sekretarin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ai ndihmohet nga dy nënkryetarë dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i partisë zgjidhet në përputhje me Nenin 39 të Statutit, me sistem maxhoritar, me dy raunde. Modalitetet e votimit përcaktohen nga rregullorja e brendshme”, - shkruhet në statutin e PD-së përsa i përket postit të kryetarit të partisë. Ndërsa për njërin nga nënkryetarët, që është Astrit Patozi, në rastin konkret, Statuti parashikon njehsimin e këtij posti me atë të kryetarit të Grupit Parlamentar. Por duket se e gjithë kjo kërkesë bëhet për të larguar sekretarin e Përgjithshëm, Ridvan Bode, që mban një nga postet më të rëndësishme në parti dhe prania e tij është e rëndësishme në çdo kohë në selinë blu. Por duket se posti i ministrit të Financave i merr Bodes shumë kohë. Në Nenin 48 të Statutit të PD-së parashikohet se “sekretari i Përgjithshëm organizon funksionimin e përditshme të partisë dhe përgjigjet për organizimin e saj”. Prandaj deputetët, anëtarët e Kryesisë së PD-së, kërkojnë ndarjen e këtij posti nga ai i ministrit për shkak se sekretari i Përgjithshëm duhet të jetë çdo ditë në seli.

Bumçi kërkon ndarjen e posteve: “PD-ja duhet të jetë aktive, të mblidhen strukturat”

Zërave pro ndryshimeve në Statutin e PD-së dhe ndarjes së posteve ministrore nga ato partiaket i është shtuar dje kryetari i demokratëve të Tiranës, Aldo Bumçi. Gjatë një prononcimi për mediat, Bumçi ka shpjeguar dje se ka ardhur koha që organizimi i Partisë Demokratike t’i përshtatet faktit që partia është duke qeverisur vendin. Disa prej ministrave që gëzojnë edhe poste drejtuese në parti, - thotë Bumçi, duhet të largohen për shkak të impenjimeve të shumta në qeverisje. “Kur fiton zgjedhjet është normale që figurat kryesore, njerëzit që kanë mbajtur peshën e kësaj partie në opozitë të kalojnë në qeverisje. Në periudhën 2005-2009, pjesa kryesore e vëmendjes ishte te qeveria dhe partia u la në një farë mënyre në heshtje. Mendoj që duhet ta tejkalojmë këtë fazë, të krijojmë një traditë. Në fund duhet të kemi një parti që të jetë aktive, të mbajë kontaktet me njerëzit, për këtë arsye partia ekziston. Strukturat të mblidhen, të jetë funksionale, pra duhet të ketë një vëmendje më të madhe në parti dhe kjo nuk mund të bëhet nëse postet janë në njësuara. Nuk është debati me emra të përveçëm që e ndihmon këtë”, - tha Bumçi. Kryetari Degës së PD-së, Bumçi, thotë se nuk do të kursehet zëvendësimi i krerëve të atyre strukturave që kishin rezultate të dobëta më 28 qershor, krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit të 2007. “Një analizë nuk është për të prerë koka. Nisesh për të rregulluar, aq më tepër që zgjedhjet kanë ndodhur disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Nëse diku ka një rënie të ndjeshme, duhet parë pse ka ndodhur dhe patjetër do të merren edhe hapat e nevojshëm për ta korrigjuar. Nëse korrigjimi kërkon edhe ndryshimin e kryetarit të atij seksioni, edhe ajo do të bëhet”, - tha Bumçi.

Fatos Beja: “Të mos monopolizohet Partia Demokratike”

Vetëm pak ditë më parë, për këtë çështje reagoi anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatos Beja. Në një prononcim për mediat, Beja u shpreh se është e nevojshme që të ndryshojë Statuti i PD-së, duke parashikuar ndarjen e posteve ministrore nga ato të sekretarëve të PD-së. Sipas Bejës, kjo dispozitë e Statutit të PD-së do të shmangë monopolizimin e partisë. Beja mendon se në rast se të njëjtët persona që kanë poste qeveritare do të zgjidhen në krye të sekretariatit të PD-së, atëherë kjo do të sjellë dobësimin e partisë. “Mënyrat ekstreme nuk janë asnjëherë të mira, pasi nëse drejtuesit e partisë do të vendosen të gjithë në pushtet, atëherë në parti nuk do të mbetet askush dhe kjo do të sjellë humbjen e forcës së PD-së. Një parti në qeverisje ndien gjithmonë nevojën e mbështetjes nga strukturat për çdo ligj që bën qeveria”, - është shprehur Beja, duke shtuar se “vetëm në këtë mënyrë partia mund të konsultohet dhe të furnizohet gjithmonë me ide të reja”. Gjithashtu, sipas tij, “mbajtja e dy posteve të rëndësishme, në qeveri dhe në parti, është e kufizuar edhe për shkak të mungesës së kohës fizike për të ushtruar me përgjegjësi të dyja funksionet”. “Këto janë terma që po diskutohen, por vërehet prirja që disa persona të jenë më të angazhuar te pushteti dhe disa të tjerë të marrin më shumë përgjegjësi te partia. Por, asnjë gjë nuk është e prerë, ose në qeverisje, ose në pushtet”, - tha Beja.

Sekretariati PD-së

Sali Berisha
Kryetar i PD-së
Kryeministër

Ridvan Bode
Sekretar i Përgjithshëm
Ministër i Financave

Astrit Patozi
Nënkryetar
Kryetar i Grupit Parlamentar

Jozefina Topalli
Nënkryetare
Kryetare Kuvendit

Ilir Rusmali
Sekretar për Çështjet Ligjore
Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve

Ferdinand Poni
Sekretar për Pushtetin Lokal
Zëvendësministër i Brendshëm

Gerti Bogdani
Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë
Deputet

Ilir Bano
Sekretar i Burimeve Njerëzore
Deputet

Flamur Noka
Sekretar Organizativ
Deputet

Gent Strazimiri
Sekretar për Partneritet
Deputet

Edmond Spaho
Sekretar për Ekonominë
Kryetar i Komisionit të Ekonomisë

Ferdinand Xhaferri
Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun
Ministër i Kulturës

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›