E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takon Presidentin e Hungarisë, merr mbështetje për integrimin



Presidentin hungarez, Solyom, theksoi gjatë takimit me kryeministrin Berisha, se Hungaria do të mbështesë Shqipërinë me të gjitha mundësitë e saj në procesin e integrimit sa më të shpejtë të saj në BE dhe në liberalizmin e vizave. Kryeministri Berisha, gjatë këtij takimi, falënderoi presidentin hungarez për vizitën e tij. Berisha i shprehu presidentit Solyom mirënjohjen për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në NATO dhe procesin e integrimit në BE. Duke vlerësuar lidhjet e shkëlqyera tradicionale mes dy vendeve, të dy personalitetet shprehën vullnetin për intensifikimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë përbën një hap tjetër shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Kryeministri Berisha e falënderoi presidentin Solyom për mbështetjen që Hungaria i ka dhënë Shqipërisë në fusha të ndryshme dhe u shprehu besimin se bashkëpunimi i ndërsjellë do të njohë nivele të reja edhe më të larta. Nga ana e tij, presidenti hungarez Lazlo Solyom vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, si rezultat i reformave në shumë fusha dhe siguroi se Hungaria do të mbështesë dhe ndihmojë Shqipërinë deri në realizimin e plotë të procesit të integrimit të saj në BE. Zoti Solyom u shpreh se Hungaria do të mbështesë Shqipërinë me të gjitha mundësitë e saj në procesin e integrimit sa më të shpejtë të saj në BE dhe në liberalizmin e vizave. Kryeministri Berisha u shpreh se pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, anëtarësimi i vendit në BE është çështja më madhore e përkrahur nga 94% e shqiptarëve, gjë kjo që i jep dritën jeshile qeverisë shqiptare për të vazhduar e vendosur drejt implementimit te reformave dhe plotësimit të standardeve te kërkuara ne këtë drejtim. Gjatë takimit u diskutua, ndër të tjera, edhe për situatën paszgjedhore. Lidhur me kërkesën e opozitës për rinumërimin e votave, presidenti hungarez Lazlo Solyom u shpreh se “në qoftë se do të ndërhyhej për të ndryshuar vendimet e Gjyqësorit, kjo do të kishte një çmim shumë të rëndë për vendin dhe shtetin ligjor, prandaj në asnjë rast një çmim i tille nuk mund të pranohet!” Kurse përsa i përket bojkotit të opozitës, presidenti hungarez Lazlo Solyom u shpreh se komuniteti ndërkombëtar pret që opozita të hyjë në Parlament. Ndër të tjera, kryeministri Berisha e njohu presidentin me hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të ndryshuar Shqipërinë, si ndërtimi i një rrjeti të ri dhe modern infrastrukturor, projekti ambicioz i “Shqipërisë në moshën dixhitale”, reformat e ndërmarra në arsim, si dhe fuqizimi i ekonomisë shqiptare. Duke u ndalur veçanërisht në fushën e bujqësisë, kryeministri u shpreh se do të ishte mirënjohës në se qeveria hungareze do të mbështeste fermerët shqiptarë, përmes kredive të buta dhe ekspertëve e saj, si p.sh. në projektin e qeverisë për një sistem bashkëkohor vaditës, për të cilin presidenti hungarez ofroi mbështetje.
Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu presidentin hungarez me hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në drejtim të luftës me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, si dhe me përpjekjet për një klimë sa më të favorshme për biznesin e huaj në Shqipëri. Presidenti hungarez, Solyom, u shpreh se të dyja vendet do të punonin së bashku për të inkurajuar investitorët hungarezë për të investuar ne Shqipëri, në fusha me interes, si në turizëm, arsim, infrastrukturë, bujqësi, miniera etj.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›