Topi: “Procesi i përcaktimit të kufijve do të monitorohet me imtësi”
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për herë të parë ka komentuar dje Marrëveshjen për kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kreu i shtetit bëri thirrje për më shumë besim ndaj institucioneve shqiptare dhe theksoi se procesi i përcaktimit të kufijve do të monitorohet me imtësi, pasi të dyja vendet, si Shqipëria dhe Greqia, janë anëtare të NATO-s dhe gjithçka do të vendoset në bazë të rregullave ndërkombëtare. Këtë deklaratë presidenti Topi e bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij hungarez, Lazlo Solyom, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë dyditore, me ftesë të kryetarit të shtetit shqiptar. Gjatë takimit me Presidentin e Hungarisë, Topi ka marrë mbështetjen e homologut të tij se Hungaria do të mbështesë zgjerimin e Bashkimit Europian kur të marrë presidencën e BE-së dhe do të mbështesë liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Qëndrimi
Përsa i takon debatit të kufijve detare me Greqinë, Presidenti i Republikës u shpreh se kjo çështje do të monitorohet me imtësi. “E kam ndjekur prej kohësh këtë problem dhe vazhdoj ta ndjek me interes. Si President ju bëj thirrje që brenda kësaj ndjeshmërie duhet të keni besim tek institucionet e shtetit shqiptar, sepse ato do të dinë të përmbushin me shumë luajalitet misionin e tyre, i cili në kontekste të tilla konsiderohet si një mision historik. Unë nuk mund t’ju them diçka definitive sot, sepse ende ka një proces që nuk është finalizuar, por ka dhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nga opozita, por ka edhe një procedurë në vazhdim, që është në Parlamentin shqiptar”, - është shprehur Topi. Ai tha se aktualisht ekzistojnë të gjitha mundësitë që të mos tolerohet asnjë shkelje në drejtim të përcaktimit të kufijve. Topi gjithashtu shtoi se aktorët që marrin pjesë në nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve janë të kujdesshëm, pasi mbajnë mbi supe koston e historisë. “Sot nuk jetojmë thjesht në kohën e marrëdhënieve të izoluara bilaterale. Ka një realitet të ri, që edhe Shqipëria, edhe Greqia, edhe Italia që interceptohen në të njëjtat ujëra, janë vende të NATO-s. Sot ka kaluar edhe ajo mendësi arkaike për të matur me metër. Kush më shumë sesa vendet e NATO-s kanë teknologjinë më të lartë të përcaktimit edhe me milimetra? Do të jetë një proces i monitoruar me imtësi. Dhe i siguroj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të jenë të qetë në të gjitha zgjidhjet institucionale, sepse do të jenë zgjidhje shumë korrekte, që edhe në versionin më të papranueshëm, ndokush do të merrte mbi supe përgjegjësi historike. Kështu që kini besim te morali i përfaqësuesve të shtetit shqiptar. Kjo do të thotë që përtej besimit duhet të ketë një marrëdhënie transparence të plotë me marrjen në konsideratë të ekspertizave në institucione, duke na bërë që të jemi të qetë që në aktin final ne të jemi plotësisht me të drejtat tona, konform rregullave, të cilat janë ratifikuar dhe nga Parlamenti shqiptar përsa u përket marrëdhënieve ndërkombëtar që kanë të bëjnë dhe me ligjet e detit”, - është shprehur presidenti Topi.
Mbështetja
Ndërsa Presidenti i Hungarisë, Lazlo Solyom, gjatë fjalës së tij ka shprehur mbështetjen që Hungaria do të japë në proceset integruese të Shqipërisë në BE. Presidenti i Hungarisë garantoi se shteti i tij do të favorizojë zgjerimin e BE-së gjatë periudhës që do të marrë presidencën e radhës së BE-së. “Kur të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Hungaria do të ruajë pozicionin e saj në favor të zgjerimit të BE-së, edhe pse mund të ketë shtete të tjera, të cilat hezitojnë që ta mbështesin këtë zgjerim. Hungaria nuk mendon se hyrja në Bashkimin Europian duhet të merret në konsideratë në bazë grupi ose shporte, por është e mendimit që çdo vend duhet të vlerësohet sipas arritjeve dhe standardeve individuale”, - është shprehur presidenti hungarez, duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbushjes së standardeve nga vendet aspiruese, ku bën pjesë dhe Shqipëria. “Unë dëshiroj të vë në dukje se Hungaria, ashtu siç ka bërë edhe më parë, do të vazhdojë të mbështesë procesin e liberalizimit të vizave. Ne besojmë që kjo është thjesht një çështje teknike, sepse në qoftë se Shqipëria do të arrijë të përmbushë dhe të kënaqë kërkesat teknike, siç është pajisja e qytetarëve me dokumente ose kontrolli i mirë i kufijve, atëherë ne mendojmë se kjo çështje do të zgjidhet deri në fund të verës së ardhshme”, - është shprehur Presidenti i Hungarisë, Lazlo Solyom.
Oketa: “Greqisë nuk i është dhënë hapësirë detare”
Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet se mund t’i jetë dhënë hapësirë detare Greqisë. Oketa ka deklaruar se ata që kanë bërë matjen e detit janë profesionistë dhe i ka vlerësuar të gabuara deklaratat për shitje të atdheut. “Është e gabuar të akuzosh një teknik që ke shitur atdheun. Kjo është një akuzë shumë e rëndë. Unë kam biseduar dhe jam konsultuar në mënyrë të veçantë për këtë çështje me kundër-admiral Gërvenin, i cili është jo vetëm një nga ekspertët më të zotë, por edhe një nga atdhetarët më të mirë”, - është shprehur Oketa. Ai saktësoi se marrëveshja në fjalë nuk e cenon aspak sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë. “Marrëveshja bazohet mbi një parim të thjeshtë, që është baraslargësia, dhe pikërisht ato rrathë që duken në ato harta tregojnë se në të gjitha pikat e kësaj vije, distanca mes dy vendeve është e barabartë. Nuk më takon mua të hyj në shumë detaje teknike. Por di të them se është një marrëveshje politikisht e domosdoshme, e cila përcakton njëherë kufirin detar mes dy vendeve, kufi që nuk ka ekzistuar më parë”, - tha ish-ministri i Mbrojtjes. Marrëveshja për ujërat detare me Greqinë u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti.
Ministri Meta takon Delegacionin amerikan për Sigurinë
Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me delegacionin amerikan të kryesuar nga gjenerali Çarls Boyd, me të cilin diskutoi për rolin e Shqipërisë për sigurinë rajonale, kontributin e saj në Afganistan, integrimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe rreth perspektivave që lidhen me rolin e investitorëve amerikanë në Shqipëri. Në takim mori pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, John Withers.
Gjatë bashkëbisedimit, ministri Meta e vlerësoi vizitën e delegacionit BENS në vend dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA, si aleati strategjik i Shqipërisë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst u vlerësua edhe politika konstruktive dhe ajo e fqinjësisë së mirë, e ndjekur prej qeverisë shqiptare. Meta shprehu bindjen gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e ka forcuar ndjeshëm pozicionin e saj strategjik dhe rolin që ajo luan për sigurinë rajonale dhe globale. Më tej Meta vlerësoi ndihmën e SHBA-ve për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke kontribuar në veçanti për forcimin e sigurisë kufitare dhe kombëtare. Boyd vlerësoi politikën pozitive të ndjekur nga Shqipëria në rajon dhe shprehu mirënjohjen e SHBA-ve për kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë në Afganistan, si anëtare e NATO-s. Anëtarët e delegacionit amerikan shprehën vullnetin për të inkurajuar intensifikimin e investimeve amerikane në Shqipëri, si një kontribut për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Topalli takon Presidentin e Hungarisë, merr mbështetje për vizat
Kryetarja e Kuvendit, gjatë takimit që zhvilloi dje me Presidentin e Hungarisë, shprehu mirënjohjen e thellë për inkurajimin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Hungaria i jep Shqipërisë në proceset integruese, duke qene vendi i parë që ratifikoi MSA-në e Shqipërisë me BE-në dhe Protokollin e NATO-s për anëtarësim të vendit tonë, si dhe duke vijuar me përkrahjen e palëkundur në procesin e liberalizimit të vizave.
Pasi vlerësoi progresin e shënuar nga Shqipëria në reformat dhe politikën e saj të lavdërueshme për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë, presidenti hungarez e siguroi kryetaren e Kuvendit, se Hungaria ka vullnetin e plotë për të mbështetur Shqipërinë në proceset integruese si nëpërmjet marrëdhënieve bilaterale, ashtu dhe ato shumëpalëshe. Ai u shpreh se shpreson të shohë Shqipërinë në një të ardhme sa më të afërt pjesë të BE-së dhe theksoi se vendi i tij është i vendosur të kontribuojë konkretisht në këtë proces nëpërmjet thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike, shkëmbimit të eksperiencave, trajnimit të administratës shqiptare, si dhe asaj ushtarake.
Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, kryetarja e Kuvendit theksoi se Shqipëria po kalon një moment shumë të rëndësishëm dhe ajo po punon shumë seriozisht dhe me përkushtim në plotësimin e standardeve të kërkuara.
31 Tetor 2009