Nuk janë pjekur kushtet për reformën në drejtësi!
• HENRI ÇILIOse më saktë, kushtet janë djegur! Sepse janë djegur kushtet politike për reformën në drejtësi pas 20 korrikut dhe zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Ato janë djegur përfundimisht pas shkarkimit të prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, mënyrës se si u shkarkua ai dhe u emërua pasardhësja e tij. Në retorikën e përgjithshme për reformën në drejtësi, të gjithë flasin për nevojën e saj, të gjithë flasin për variantet e saj, madje shkohet dhe më tej, shkohet te “ngarkimi i ekspertëve” për të përpunuar variantet, por harrohet kryesorja e një reforme në drejtësi: kushtet politike. Reforma në drejtësi, para se të jetë punë ekspertësh, para se të jetë impenjim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo i Presidentit të Republikës, është një çështje politike. Madje, është nga ato çështje politike për të cilat, sovrani përmes Kushtetutës ka përcaktuar se bëhen vetëm me një shumicë të cilësuar. Disa me ndryshime kushtetuese. Logjikisht kjo do të thotë, se një reformë në drejtësi kërkon ato ndryshime ligjore, madje dhe kushtetuese, të cilat do të kërkonin patjetër pjesëmarrjen të dy krahëve politikë, qeverisë dhe opozitës për të bërë bashkë votat për këto ndryshime. Ajo që i mungon sot reformës në drejtësi janë pikërisht kushtet politike për një reformë të tillë. Nga pikëpamja politike palët ndodhen në një antagonizëm politik të thellë. Për shkak të mënyrës se si mori rrugë kriza e presidentit dhe për më tepër, për mënyrën se si u zgjidh çështja e prokurorit të Përgjithshëm, është e qartë që opozita nuk mund të pranojë një dialog dhe bashkëpunim me shumicën në të tilla kushte. Asnjë opozitë nuk do të mund të jepte konsensus për reforma të tilla, në të tilla rrethana. Reformat e kësaj natyre dhe peshe, si reforma në drejtësi kërkojnë kushte specifike dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Ky dialog dhe ky kooperim arrihet në kushtet kur politikisht të dyja palët, qeveria dhe opozita, janë pak a shumë njësoj të fuqishme, ose në një ekuilibër pushteti. Vetën në ekuilibër politik ka dialog dhe ka kushte për marrëveshje. Sepse në një marrëveshje palët duhet të shkëmbejnë diçka, duhet që të dyja palët të fitojnë nga kjo marrëveshje. Rasti i negociatave pozitë–opozitë për krizën e presidentit në korrik të këtij viti, ose tryeza Rama–Berisha, ishin rasti tipik i cili mund të prodhonte një reformë reale në drejtësi apo aspekte të tjera të jetës institucionale të vendit. Ky rast për rrethanat që i dimë iku. Sot jemi shumë larg kushteve për dialog apo për marrëveshje mes palëve për çështje të tilla, si reforma në drejtësi. Palët politike në vend janë shproporcionalisht të fuqishme. Nga njëra anë kemi kryeministrin Berisha dhe maxhorancën, të cilat gati dy vjet e gjysmë pas zgjedhjeve të 2005, janë paradoksalisht më të fuqishme në Parlament, kanë shumë më tepër deputetë nga sa u dha populli dhe gjithnjë në rezervë edhe votat e grupit të deputetëve mbështetës të ish-kryeministrit Fatos Nano. Sot maxhoranca ka presidentin, KLD-në dhe shumë e shumë institucione të tjera, që po i merr dhe pritet t’i marrë së shpejti si pasojë e ciklit mandator të institucioneve. Çdo qeveri në këto kushte, nuk ka asnjë vullnet për të bërë lëshime, sepse nuk ka arsye. Ajo e ka, ose po e zgjeron pushtetin e saj. Nga ana tjetër, kemi një opozitë që nga pikëpamja institucionale e ka humbur fuqinë pas dështimit në krizën e presidentit dhe fragmentimin e grupit parlamentar të saj. Kjo e fundit, nuk ka për momentin asnjë kartë negocimi dhe dialogu. Jo vetëm kaq. Nuk do të ishte çudi që rrjedha logjike e veprimit të kësaj opozite, në këto kushte, nuk do të jetë gjë tjetër veçse bojkotimi i të tilla reformave dhe kalimi nga opozita institucionale drejt opozitës joinstitucionale. E vetmja kartë politike e opozitës aktuale mbetet vota e qytetarëve. Brenda sistemit ajo nuk ka më asnjë mundësi imponimi apo loje. Për të gjitha këto rrethana, mungojnë krejtësisht kushtet për dialog mes palëve për reformën në drejtësi. Kushtet që ishin në verë u dogjën. Të tjerat nuk janë pjekur ende.