Vjedhje spektakolare në Zyrën e Përmbarimit, brenda në Port
• DURRES - Persona ende të panjohur për policinë janë autorët e një vjedhje spektakolare në qytetin-port.Në shënjestër të grabitjes ka qenë Zyra e Përmbarimit në Durrës, e cila ndodhet brenda territorit të Autoritetit Portual. Vetëm rreth orës 08:00 të mëngjesit, kur nëpunësit e parë filluan punën, u dha sinjali i parë i vjedhjes. Burime nga Zyra e Përmbarimit bënë të ditur se hajdutët kanë hyrë në tre prej ambienteve, përfshirë këtu dhe zyrën e kryetarit të Përmbarimit, Luan Hoti, ku janë vjedhur pajisje të ndryshme logjistike. Paralelisht me hetimet për kapjen e autorëve ka nisur një inventar urgjent i të gjitha dosjeve për të dalluar nëse grabitësit kanë synuar zhdukjen e ndonjë dosje të veçantë, duke pasur vjedhjen si alibi apo përvetësimin e mirëfilltë të kompjuterëve dhe parave. Nga hetimet e para rezulton se hajdutët kanë hyrë në godinë gjatë orarit të punës së një dite më parë, duke u fshehur për 6-7 orë me radhë në depon ku mbahen mjetet e pastrimit. Pas largimit të punonjësve dhe mbylljes së godinës ata kanë hyrë në tre zyra për të vjedhur. Burime të brendshme saktësojnë se grabitësit kanë vjedhur në zyrat e përmbaruesve durrsakë një shumë të konsiderueshme parash dhe disa pajisje logjistike si telefona, kompjuterë lap-top etj. Mbetet enigmë mekanizmi i plotë i ngjarjes, pasi vjedhësit kanë hyrë dhe kanë dalë lirshëm në një territor të supersurvejuar nga kamerat e fshehta të sigurisë së portit. Tashmë të gjitha regjistrimet e tyre po analizohen imtësisht në mënyrë që të ndërtohet një identikit i saktë mbi grabitësit, të cilët mendohen se kanë qenë dy persona. o.u