E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati protestat për energjinë

• GJIROKASTER - Partia Socialiste e Gjirokastrës do të nisë protestat në qytet për shkak të krizës energjetike.Sipas kreut socialist, Florjan Hysi, mungesa e pajustifikueshme e energjisë elektrike në çdo orë të ditës për qytetarët gjirokastritë është e patolerueshme dhe kjo është një pikë ku i duhet të kërkohet me forcë qeverisë të ndërhyjë për përmirësimin e situatës. "Qytetarët gjirokastritë rezultojnë konsumues të rregullt të energjisë elektrike dhe kësisoj dhe faturues në masën më të lartë të saj. Kjo e detyron qeverinë Berisha të shikojë me përparësi këtë çështje, e cila po bëhet e padurueshm". Hysi ka marrë në mbrojtje edhe zërat e biznesmenëve gjirokastritë për mungesën e energjisë elektrike, çka ka sjellë një dëm ekonomik tek ta. "Ngritja e çmimit të energjisë elektrike, të karburanteve është një tregues i rëndimit të situatës ekonomike në jugun e vendit. I kërkojmë qeverisë Berisha të ndërhyjë urgjentisht në përmirësimin e kësaj situate, e cila në radhë të parë rëndon te konsumatori i thjeshtë e më pas te prodhuesit, të cilët detyrohen të operojnë me çmimet e larta të produkteve". Brenda vitit, Hysi ka sinjalizuar daljen në rrugë të militantëve të majtë për të protestuar ndaj mungesës së energjisë elektrike dhe rritjes së kostos së jetesës.                     p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›