E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Çmenden pulat" 400 lekë një vezë

• SARANDE - Çudira po ndodhin muajt e fundit me çmimet e produkteve ushqimore në Sarandë.Pas çmimit të bukës, që ende nuk është ulur, vajit, qumështit apo mishit, tashmë rritet dhe çmimi i një kokrre vezë. Dje në tregun fshatar të Sarandës, një kokërr vezë ka kushtuar plot 40 lekë të reja, një shifër kjo që nuk është parë më herët në treg. Kjo shifër është 5 herë më e lartë se ajo e një viti më parë, ku një kokërr vezë kushtonte vetëm 8 lekë të reja. Sipas vetë fshatarëve, të cilët vijnë në qytet për të tregtuar vezët, ky çmim vjen nga shumë faktorë, ku më kryesori sipas tyre është rritja e çmimit të misrit e grurit, ushqimi bazë për pulat. Por ka edhe nga ata që shprehen se, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar edhe rritja e çmimit të naftës, e për pasojë drejtuesit e mjeteve të transportit kanë rritur çmimin e biletave për udhëtimin drejt Sarandës. Mungesa e një institucioni rregullator në këtë qytet duket se ka krijuar këtë fenomen tepër shqetësues për banorët. Në bashki ekziston një drejtori, e cila merret vetëm me kontrollin e cilësisë së ushqimeve, por jo çmimeve. Prej disa muajsh, 1 bukë normale në Sarandë kushton 100 lekë, ndërsa janë shtuar çmimet e produkteve të tjera të nevojshme.                          sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›