E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Në 28 qershor ne do shkatërrojmë monopolet në vend

 

Kreu i LSI-së Ilir Meta, zhvilloi një takim me të rinjtë e qytetit të Beratit. Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh i vendosur se 28 qershori, dita e fitores së madhe të kësaj force politike, do të jetë dhe fundi i monopoleve në vend. “Në 28 qershor do të jemi alternativa ku do të mbështeten shumica e shqiptarëve për t’i dhënë Shqipërisë demokracinë e kërkuar, për t’i dhënë shqiptarëve lirinë dhe dinjitetin, që ata kërkojnë dhe për të dënuar njëherë e mirë regjimin e monopoleve, që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë dhe për të luftuar me program varfërinë e shqiptarëve”, tha Meta. Duke folur për rolin që dy partitë kryesore kanë luajtur në jetën e vendit, Meta tha se, “këto parti jo vetëm që nuk i kanë dhënë zgjidhje problemeve më të mëdha të vendit, por që ende sot prindërit tuaj flenë me ankth dhe me frikë se ku do gjejnë para për të blerë librat për fëmijët e tyre, ku do i gjejnë paratë për të përballuar shkollën, studimet, për të përballuar një jetë më të mirë për ju dhe të ardhmen tuaj. Kjo është një padrejtësi e madhe”. “Ne do i themi jo kësaj padrejtësie mizore politike dhe sociale,- garantoi Meta, duke shtuar se, -ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga monopolet e Sali Berishës apo të kujtdo tjetër, sepse ky duhet të jetë një vend që ofron mundësi për mirëqenie dhe mundësi për të gjithë shqiptarët, dhe jo vetëm për një pakicë që është e lidhur dhe mbrohet nga Sali Berisha”, tha Meta. Kreu i LSI-së përgëzoi numrin e madh të personaliteteve, që po i bashkon kësaj force politike, duke u shprehur se “ata janë bashkuar me alternativën tonë dhe në veçanti besoj shumë tek kjo energji e jashtëzakonshme e rinisë së Beratit dhe e rinisë në të gjithë Shqipërinë, që ne në 28 qershor të jemi pikërisht alternativa, ku do të mbështeten shumica e shqiptarëve”. Ndërkaq, gjatë fjalës së tij në këtë takim, analisti i mirënjohur Artur Zheji u shpreh se “demokracia në Shqipëri është në rrezik. Si asnjëherë tjetër në vend kemi një kastë, e cila do që të ngrihet mbi të rinjtë, mbi vitalitetin tuaj, do që të ngrihet mbi shoqërinë tonë dhe do që të kontrollojë gjithçka. Kjo kastë e cila përbëhet tashmë nga dyshja famëkeqe Berisha-Rama duan që gjithë kjo forcë rinore, ashtu sikurse e keni dhe ju sot, ta kontrollojnë dhe ta shpërdorojnë atë për interesat e tyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›