PBK: Pohim i rrezikshëm i Ramës për marrje pushteti me dhunë

Tiranë, 25 janar, NOA Qëndrimi i Partisë
Socialiste për marrjen me dhunë të pushtetit po gjallëron një komunizëm
agresiv, në funksion të të cilit ajo po përdor tezat e ekonomisë së tregut,
duke e paraqitur veten si të rinovuar. Kështu e ka cilësuar qëndrimin e Edi
Ramës për marrjen e pushtetit me dhunë kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik
Alimadhi, gjatë nje konference për shtyp. Sipas tij, sot në Shqipëri ka
filluar të ngrejë krye, të gjallërohet e të bëhet agresiv komunizmi, që nuk ka
vdekur akoma.
Partia Socialiste nëpërmjet kryetarit të saj
Edi Rama vërtetoi dhe po dëshmon qartë se po kërkon të marrë pushtetin me
dhunë, ashtu siç bëri edhe në vitin 1997. Ajo ka marrë hua disa teza të ekonomisë së
tregut duke u paraqitur si e rinovuar përpara shqiptarëve, madje ajo sot po na
jep leksione për demokraci. Por ajo vazhdon të ruajë të paprekur dhe të mbajë
si të shenjtë ideologjinë e saj
komuniste, thuhet më tej në këtë deklaratë.
Balli Kombëtar, gjithmonë ka bërë propagandë
të qetë kundër komunzimit për të evituar luftën vëllavrasëse, por komunistët
mësuan vetëm mohime dhe urrejtje, vrasje dhe pushkatime të qindra e mijëra
shqiptarëve të ndershëm. Edhe sot strategjia e marrjes së pushtetit me dhunë
nga Partia Socialiste, është një rrezik real, që i kërcënohet demokracisë
shqiptare dhe kombit shqiptar, thuhet më tej.
Në fund, deklarata citon se Balli Kombëtar
dënon qëndrimin e Edi Ramës për marrjen e pushtetit me dhunë.
Ne i kujtojmë atij se Shqipëria nuk është më
në vitet 1943-1944, kur partia e babait të tij vrau, pushkatoi, burgosi,
internoi me mijëra shqiptarë, përfundoi Alimadhi.
n.e/NOA