E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Beja: “Bursa për nxënësit që do të ndjekin këto shkolla”



Jonida Tashi

Nxënësit që do të ndjekin mësimin në gjimnazet profesionale do të përfitojnë bursa, pavarësisht nëse i plotësojnë ose jo kriteret. Ndërsa mësuesit dhe specialistët e arsimit profesional do të nxiten me stimuj financiarë. Ky është premtimi i bërë dje nga kreu i Ministrisë së Arsimit, Fatos Beja, në Konferencën Kombëtare për Arsimin Profesional. Ministri Beja ka siguruar se pavarësisht kritereve ekonomike dhe notës mesatare, të gjithë nxënësve që do të fillojnë në vitin e parë në shkollat profesionale do t’u jepet bursë. “Në buxhetin tonë afatmesëm ne kemi mbështetur arritjen e objektivave tona programore për arsimin profesional dhe do të përpiqemi që të forcojmë partneritetin edhe në kuadrin e projekteve të ndryshme me financime të huaja për arsimin profesional. Ndërkohë do të zhvillojmë më tej nxitjen e nxënësve nëpërmjet sistemit të bursave dhe të mësuesve e specialistëve nëpërmjet stimujve financiarë”, - deklaroi Beja në fjalën e mbajtur në konferencë.
Struktura
Përveç marrjes së një mase të tillë për nxitjen e arsimit profesional, aktorët e interesit në këtë fushë kanë rënë dakord që ky sistem arsimor duhet reformuar. Lidhur me riorganizimin sa më efikas të arsimit profesional, Beja ka bërë të ditur se aktualisht janë në procesin e përfundimit projektet e plan-programet, si përsa i takon kulturës profesionale, ashtu dhe asaj së përgjithshme. Sipas kreut të Arsimit, në vitin shkollor 2009-2010 do të zbatohet kurrikulat e reja për arsimin profesional në vitin parë në të gjithë sistemin. Gjatë vitit të ardhshëm do të ndryshojë edhe struktura e arsimit profesional, e cila nga 3+2-vjeçare do të shndërrohet në 2+1+1. Sipas kësaj strukture të re, në dy vitet e para të shkollës së mesme nxënësit do të marrin një formim të përgjithshëm, ndërsa në dy vitet pasuese atyre do t’u ofrohet më tepër formim praktik dhe specializues. Struktura e re e shkollave profesionale, e cila do të realizohet për herë të parë në vend në vitin e ardhshëm shkollor, ka përqasje me atë të shkollave profesionale të vendeve të përparuara europiane. Kjo strukturë është më fleksibël dhe më e përshtatur me dinamikën e zhvillimit të tregut dhe njëkohësisht lë të hapur mundësinë e vazhdimit të shkollës së lartë. Sistemi i reformuar i arsimit profesional bart konceptin e të nxënit gjatë gjithë jetës dhe mundëson akumulimin, transferimin dhe njohjen e krediteve për arritjet e fituara me forma dhe mënyra të ndryshme, duke u përshtatur gradualisht me standardet dhe nivelet e kualifikimit të pranuara nga Bashkimi Europian.
Reformimi
Reformimi i sistemit të arsimit profesional ka qenë në qendër të konferencës së zhvilluar ditën e djeshme nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës. Aktualisht, drejtuesit e këtyre ministrive, në bashkëpunim edhe drejtuesit e shkollave profesionale, po punojnë të kryejnë një reformë sistematike në arsimin profesional, ku krahas përpjekjeve për të nxitur zhvillimin e tij, nevojitet edhe përmirësimi i cilësisë nëpërmjet modernizimit të kurrikulave, kualifikimit të mësuesve dhe mbështetjes me bazë materiale. Në kuadrin e reformimit të sistemit, Beja ka deklaruar se është drejt finalizimit miratimi i “Kornizës shqiptare të kualifikimeve”, e cila bën përshtatjen e sistemit tonë edukativ me “kornizën europiane të kualifikimeve”. Sipas ministrit Beja, ky hap është shumë i rëndësishëm për njësimin e certifikatave dhe diplomave të nxënësve shqiptarë me ato të moshatarëve të tyre europianë, dhe njëkohësisht një garanci për një kërkesë-ofertë aftësish profesionale të ngjashme në tregun tonë si në tregun rajonal e kontinental. Po ashtu, ministri i Arsimit ka sqaruar se së shpejti do të kalojë për miratim në qeveri e në parlament ndryshimin e ri të ligjit “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën Shqipërisë”.

Premtimet për zhvillimin e mëtejshëm në arsimin profesional

Synohet që shkallë-shkallë të përfshihen në arsimin profesional 40 për qind të nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm

Për realizimin e këtij objektivi MASH-i ka hartuar një program afatmesëm deri në vitin 2013, në të cilin parashikohen një sërë masash mbështetëse

Për vitin e 2009 e në vijim është planifikuar që t’u jepen bursa të gjithë nxënësve që do të fillojnë në vitin e parë të këtyre shkollave, pavarësisht kritereve ekonomike dhe notës mesatare

Në tre vitet e ardhshme është parashikuar të ndërtohen 6 shkolla tekniko-profesionale

Do të zgjerohen kapacitetet e shkollave ekzistuese, do të përmirësohen laboratorët, bazat prodhuese e repartet e praktikave profesionale

Në programet zhvillimore të MASH-it, për periudhën 2009-2013, parashikohet një mbështetje e fuqishme për hapjen e degëve të reja dhe shtrirjen e arsimit profesional të agrobiznesit, sidomos në zonat rurale

Lohan: “Arsimi profesional, pikë kyçe për ekonominë”

Arsimi profesional është një pikë kyçe për ekonominë e një vendi. Kështu është shprehur komisioneri i KE-së në Tiranë, Lohan, i pranishëm në Konferencën për Arsimin Profesional. Sipas tij, Komisioni Europian e konsideron arsimin profesional si një burim kryesor të qëndrueshmërisë së ekonomisë për vendet në zhvillim. Lohan gjithashtu shtoi se KE-ja do ta mbështesë iniciativat e ndërmarra në këtë sektor, por është vetë Shqipëria që duhet të ndërmarrë reforma në këtë fushë.

Berisha: “Duhet reformë e thellë në arsimin profesional”

Reformimi i arsimit profesional është mbështetur edhe nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kryeministri Berisha, i pranishëm në Konferencën Kombëtare për Arsimin Profesional, deklaroi se duhet një reformë e thellë në këtë sektor. Megjithëse ka pranuar përqindjen e ulët të nxënësve që ndjekin arsimin profesional, Berisha u shpreh se objektivi i tij është rritja e numrit të tyre në këtë arsimim deri në masën 40 për qind.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›