E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brunela, e veja e Kosta Trebickës, kërkon nga Gjykata administrimin e pasurisë



Tiranë - Gruaja e Kosta Trebickës kërkon nga gjykata të drejtën për të administruar pasurinë e djalit të saj 11 vjeç. Brunela Trebicka i është drejtuar dje Gjykatës së Rrethit të Tiranës me një kërkesë, ku kërkon të drejtën për të administruar pasurinë e djalit të saj vetëm, 11 vjeç, deri kur ai të arrijë moshën madhore. E veja e Trebickës nuk ka të drejtë të kryejë asnjë veprim në shoqërinë “Xhoi”, pasuria e vetme që kishte dëshmitari kyç i dosjes “Gërdeci”. Nga ana tjetër, e veja kërkon nga Gjykata që të shlyejë edhe kredinë prej 880 mijë eurosh që kishte marrë Trebicka, kredi e cila ka mbetur pezull. Në seancën e djeshme gjykatësja Elona Gjoka dëgjoi pretendimet e palëve, ndërsa shtyu procesin për një tjetër datë.

Dumre, krijohet një gropë karstike, gjeologët japin alarmin

ELBASAN- Një gropë e madhe karstike është krijuar në fshatin Liçaj të komunës Shalës në Elbasan, si shkak i formacionit gjeologjik të tipit gips. Përmasat gjigante dhe afërsia me rezervuarin e Kashtës ka vënë në alarm gjeologët dhe banorët.
Thellësia e gropës shkon në 100 metra, ndërsa diametri i saj në 30 metra. Përmasat e gropës në zonën e Dumresë vazhdojnë të thellohen nga ora në orë, ndërkohë që gjeologët paralajmërojnë një katastrofë në njerëz nëse gropa do të vazhdojë të jetë aktive. Rreziku shtohet si shkak i pranisë së gropës vetëm 50 metra nga rezervuari i Kashtës dhe në rast se aktiviteti i gropës vazhdon, duhet të shkarkohet i gjithë rezervuari, pasi zona në fjalë rrezikon përmbytjen. Gropa, që ka ujë në fund të saj, ndodhet në një formacion gjeologjik të tipit gips, i cili në prani të ujërave nëntokësore tretet. Gropa të tilla janë shkak i krijimit të një numri të madh liqenesh karstike në zonën e Dumresë dhe sipas gjeologëve, janë duke u dhënë shenjat e para të krijimit të një liqeni të ri. Fenomeni natyror ka shqetësuar banorët duke krijuar panik, pasi gropa ndodhet fare pranë digës së rezervuarit. Sipërfaqja prej 82 hektarësh dhe sasia mbi 2.8 milionë metra kub ujë që ndodhet në këtë rezervuar tregon qartë se sa kritike është situata.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›