E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Hoxhaj viziton Arabinë Saudite

Nga Express më 06 maj 2011 në ora 14:09

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, me 7 dhe 8 maj do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Riad, Ministri Hoxhaj do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite Princin Saud Al-Faisal, me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij shteti si dhe me përfaqësues diplomatik të vendeve të ndryshme të akredituara në Arabinë Saudite, ka njoftuar MPJ, nëpërmes një komunikate shtypi.

Ministri Hoxhaj do të njoftojë përfaqësuesit e lartë sauditë dhe të shteteve të tjera arabe për progresin e arritur në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e deri më tani, si dhe me zhvillimet në të cilat po kalon Republika e Kosovës.

Sipas njoftimit shpërndarë medieve, ministri Hoxhaj do të rikonfirmojë përkushtimin e institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës për të vendosur dhe forcuar lidhjet e gjithanshme mes popullit të Kosovës dhe popujve të vendeve arabe.

Vizita zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Kosovës në Arabinë Saudite, thuhet se pritet të ketë efekte të rëndësishme në forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të Arabisë Saudite në proceset politike dhe diplomatike në botën arabe.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›