E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamentarët e rinj ne Prekaz

Nga Express më 06 maj 2011 në ora 16:38

Një delegacion i Parlamentit të të Rinjve të Shqipërisë, në kuadër të një vizite qe po bënë në Kosovë, ka vizituar Prekazin. Ata të shoqëruar nga kolegët e tyre kosovarë, fillimisht kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve, e mandej kanë vizituar Kompleksin e kullave.

Griselda Qosja, drejtuese e Parlamentit Rinor Shqiptar, ka thënë para gazetarëve se qëllimi i vizitës së tyre në Kosovë është nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi në mes të dy parlamenteve rinore.

Ajo shpreson se ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm dhe do të shtrihet edhe jashtë kufijve tanë.

“Është hera e parë që jemi në Kosovë dhe jemi shumë të emocionuar e sidomos me vizitën në Prekaz, pas tërë asaj çka pamë dhe dëgjuam. Familja Jashari pa asnjë dyshim është krenaria më e madhe historike kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo qe janë”, tha Qosja.

Në anën tjetër, Kreshnik Cukaj, kryetar i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, është shprehur të jetë i lumtur për vizitën e kolegëve nga Shqipëria, dhe sipas tij, kjo do të thotë pikënisje e krijimit të raporteve vëllazërore dhe profesionale mes vete.

“Synim yni është shtrirja e këtij bashkëpunimi në të gjitha trojet shqiptare dhe të jemi model bashkëpunimi edhe për kolegët tanë më të vjetër”, ka thënë Cukaj, raporton Kosovapress.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›